Korça: Një anëtar i LVV e manipuloi Kuvendin për lokacionin e varrezave

Çështja e lokacionit të ri të varrezave në Gjilan, po vazhdon të përflitet e komentohet në mënyra të ndryshme. Disa i japin të drejtë opozitës, e disa nuk pajtohen me qëndrimet e saj. Madje, së fundi edhe një pjesë e pozitës u tërhoq nga mbështetja ndaj LVV.

Por çka tha sot drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça rreth problemit të lokacionit të varrezave të reja në Gjilan?

Lokacioni i varrezave është bërë problem me qëllim nga një kandidat i LVV, anëtar i Kuvendit, i cili ka arritur ta manipulojë një pjesë të Kuvendit, sikurse ka manipuluar edhe me një pjesë të popullatës, ka thënë Korça, duke shtuar se absolutisht nuk qëndron ajo që e paraqet LVV-ja.

U pa ditëve të fundit edhe nga një pjesë e partive opozitare se dezinformomi nga ana e shefit të grupit të LVV, është interes personal i tij, në pronat të cilat i ka privatizuar e të cilat nuk janë paraparë tani për varreza, por që nga viti 2003.

Kjo hapësirë është përfshirë edhe në planin zhvillimor komunal si lokacion për varreza, ndërsa në vitin 2018, me vendim të kryeministrit Haradinaj, këto parcela që ishin nën administrim të AKP-së iu dhanë komunës së Gjilanit për varrezat e qytetit.

Korça ka thënë se projekti ka filluar me trasimin e rrugëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme dhe do të realizohet ashtu siç është planifikuar, sepse ky është interes i qytetarëve të Gjilanit./MediaFokus/