Kosova duhet të tregojë më shumë respekt dhe mirënjohje për të gjithë pensionistët

Drita Maliqi

Pensionistët tanë janë gjenerata që me punë, djersë dhe sakrificë i vunë themelet shtetit e institucioneve tona. Ata ishin ndërtuesit e parë të shkollave, mësuesit e parë që edukuan breza të tërë, mjekët që shëruan me kushte të vështira, punëtorët që mbajtën gjallë ekonominë dhe shoqërinë në kohët më të rënda.

Njëri prej tyre është edhe bashkëshorti im, profesor Shkëlqimi, i cili nga viti 1983 e deri në pensionim ka dhënë dije e edukim në fushën e Fizikës.

43 vite punë të palodhur kanë nxjerrë dhjetëra mjekë, inxhinierë, arsimtarë e profesionistë që sot punojnë e veprojnë në institucionet e shtetit tonë.

Mirëpo, si shumë kolegë të tij, ai sot merr një pension prej vetëm 120 eurosh – një shumë që nuk përkon me sakrificën dhe kontributin e tij jetësor.

Ky nuk është vetëm një rast individual. Kjo është gjendja e shumicës së pensionistëve tanë, veçanërisht në komunën e Gjilanit, të cilët jetojnë me pensione që nuk mjaftojnë as për nevojat më elementare.

Këta njerëz nuk meritojnë të harrohen. Ata duhet të nderohen e të trajtohen me dinjitet, sepse falë tyre sot kemi shtet, institucione dhe gjenerata të suksesshme.

Prandaj, i bëjmë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të marrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së pensionistëve.

Kërkojmë që të rriten pensionet në një nivel që garanton jetë dinjitoze, të krijohen skema mbështetëse për mjekim, barna dhe shërbime sociale, si dhe të organizohen aktivitete që i bëjnë ata pjesë aktive të jetës shoqërore.

Pensionistët nuk janë barrë për shoqërinë tonë – ata janë pasuria më e madhe e saj.

Gjilani dhe mbarë Kosova duhet të tregojnë më shumë respekt dhe mirënjohje për të gjithë pensionistet!

(Foto nga protesta kur armiku dëboi nxënësit dhe profesorët nga shkolla…)