Në Xhaminë e Pogragjës shënohet Dita e Pavarësisë së Kosovës

Xhamia e fshatit Pogragjë, të premten dukej më ndryshe se ditëve tjera, në atmosferë festive ajo ishte zbukuruar me flamurin kombëtar, flamurin shtetëror të Kosovës dhe flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të shënuar 17 shkurtin- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Imami i fshatit, Ramadan Durmishi i cili kishte stolisur xhaminë me flamuj edhe ligjëratën javore – Hutben ia kushtoi Pavarësisë së Kosovës duke theksuar se ajo i ka rrënjët në gjakun e shumë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës që nga viti 1900 e deri më 1999, kur përfundimisht hordhitë serbe u larguan nga Kosova dhe kështu më 17 shkurt 2008 u vulos mëvetësia e Kosovës.

Ai ka uruar besimtarët e pranishëm në xhami dhe gjithë shqiptarët e Kosovës për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke uruar që shteti i ri i lindur më 17 shkurt të bëhet model për shtetet tjera.

Imami Ramadan Durmishi, me këtë rast ka përmendur ngjarje që shënuan historinë shqiptare të cilat lidhen me historinë e Kosovës, përkatësisht të këqijat që përjetoi ajo nga armiku shekullor- Serbia.

Ndër të tjera, ai theksoi se përkundër të këqija të pafundme që përjetoi populli i Kosovës, asnjëherë nuk u shua zemra e shpirti liridashës, ashtu që më 1968 në Kosovën martire pas një vale të demonstratave nëpër Evropë, do të shpërthejnë kërkesat më sublime për Republikën e Kosovës, për universitete, për kushtetutën etj., kërkesa të cilat i kishte shtruar prej kohës atdhetari i lëvizjes patriotike shqiptare, Adem Demaçi, i cili ishte bërë ndërgjegje e rinisë kosovare.

Imami Ramadani në Hutben e gjatë për 17 shkurtin, theksoi se terroi serb sa vinte e shtohej ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe ko qoi në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe organizimin e shqiptarëve gjithandej për të formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila e përkrahur edhe shtetet më të fuqishme botërore me vendim të OKB-së autorizuan NATO-n që të niste bombardimet ndaj Serbisë për t’ i dhënë fund një gjenocidi shekullor më 1999.

Duke bërë thirrje që të shënohet kjo ngjarje e rëndësishme, imami i Xhamisë së Pogragjës, Ramadan Durmishi porositi për punë, drejtësi, solidaritet e dashuri ndaj njëri-tjetrit e vendit tonë.

Ndryshe, imami i Pogragjës edhe me rastin e 28 Nëntorit- Festës së Flamurit, hutben ia kushtoi kësaj ngjarje dhe shumë ngjarjeve tjera që shënuan nëntorët e historisë shqiptare përfshirë edhe Kongresin e Manastirit. /Sami Durmishi/Mediafokus.info