Kosova i del në ndihmë Turqisë pas goditjes nga tërmetet 

Turqia dhe Siria janë goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të Rihterit, ku për pasojë deri më tani kanë humbur jetën 2,500 persona dhe mijëra të tjerë janë lënduar.

Turqia para pak çasteve është goditur edhe nga dy tërmete tjera që ishin me fuqi më të vogël shkatërruese, pra i treti 5.0 magnitudë, kurse i katërti 5.1.

Si rezultat i gjendjes së rëndë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.