Kosova ka pak mjekë për kokë banori, Qeveria vendos t’i paguajë specializantët këtë vit
Kryeministri Albin Kurti tha se 580 specializantë me vetëfinancim do të paguhen, në mënyrë që të përmirësohet situata në shëndetësi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se “numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit”, duke përmendur ikjen e mjekëve, raporton Gazeta Express.
Ai tha se në Kosovë ka “numër të vogël të mjekëve për kokë banori”.
Kësisoj, Vitia tha se “ngrihen shqetësime sa i përket qasjes në shërbimet shëndetësore të popullatës”.
“Prandaj Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin”, tha ministri.
Qeveria miratoi edhe pagesën e 10 specializantëve me vetëfinancim nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

