Kosova në kërkim të hapësirave të reja për t`i shndërruar në spital për pacientët me Covid

Spitalet e Kosovës janë mbushur me pacientë të prekur nga Covid 19. Ministria e Shëndetësisë është duke kërkuar alternativa për vendosjen e pacientëve me koronavirus, numri i të cilëve po rritet çdo ditë.

Terminali i vjetër i aeroportit të Prishtinës mund të kthehet në qendër spitalore për t’i trajtuar të prekurit me Covid-19 në Kosovë, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në emisionin Ekonomia n’Fokus.

Sipas tij, rritja e numrit të të infektuarve me covid-19, kërkon shtim të kapaciteteve të reja në mënyrë që të ofrohet shërbim për të gjithë qytetarët që preken nga ky virus.

“Jemi duke analizuar se çfarë mund të shfrytëzojmë si institucione publike. E kemi pjesën e vjetër të aeroportit të Prishtinës, e kemi qendrën 1 tetori, e kemi mundësi shfrytëzimi qendrën e trajnimeve dhe panaireve që lidhet me Obiliqin, është qendra inovative në Prizren, po ashtu aeroporti i ri i Gjakovës. I kemi këto pika për të cilat ekspertët tanë janë duke shikuar se sa shpejt mund të vihen në funksion”, ka bërë të ditur Zemaj.