Kosova para një kolapsi ekonomik, shëndetësor e politik
Avdyl Jerliu
Zgjidhja e ngërqit ekonomik
Thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit z. Hoti: Mos merrni masa ekstreme për mbyllje totale të veprimtarive ekonomike siç po proklamoni nëpër media. Ashpërsoni masat ndëshkuese për bizneset dhe qytetarët që nuk i respektojnë masat e vendosura nga IKSHPK-ja dhe Qeveria e Kosovës.
Ekonomia e vendit duhet të mbështetet përmes pakove financiare të cilat fatkeqësisht nuk po mundet qeveria me i kaluar në Kuvend, ku vendet fqinje kanë mbështetur ekonomitë e tyre me disa pako financiare radhazi.
Qeveria duhet fajin ta kërkoj të vetja se ku është problemi pse nuk po votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike dhe mos të bëhemi “gaz i botës” nga dhjetëra herë duke e dërguar ligjin në Kuvend.
Kryeministër e di që jeni në dijeni, fatkeqësisht keni sabotime brenda koalicionit, duhet të jeni më fleksibil dhe të merrni veprime të shpejta se nuk ka kohë me humb, jemi shumë vonë.
Të vazhdohet me angazhim titanik në Shëndetësi
Ministër i Shëndetësisë z. Zemaj ju lutem merruni me rritjen e kapaciteteve shëndetësore në spitalet e Kosovës, duke rritur numrin e shtretërve intenziv. Ministria e Shëndetësisë besoj se duhet t`i merr nën menaxhim për këtë periudhë të gjitha “Palestrat e Sporteve” nëpër qytetet e Kosovës dhe t`i akomodoj si Spitale për Covid.
Duhet të menaxhoj mirë dhe drejt me kapacitet shëndetësore që i ka, jo të humb kohë duke menduar për mbyllje hermetike të vendit.
Ju lutem e provuam bllokadën me mbyllje hermetike që e patëm, rezultati ishte shumë negativ. Ajo mbyllje desh na çmendi të gjithëve. Mosni ju lutem, mosni se po ju tregoj nese e mbyllni vendin përsëri si herën e kaluar, të jeni të bindur se vend veti nuk keni me mundur me i gjetur, dikur bëhet vonë.
Zgjidhja e Ngërqit Politik
Kosova gjindet në një bllokadë politike apo udhëkryq të pa shenjëzuar dhe i duhen zgjidhje kreative dhe të shpejta.
Besoj se zgjidhja më e pranushme dhe më e qëndrueshme për situatën e krijuar në Kosovë, pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, do të jetë zgjedhja e një presidenti të ri në ditët në vijim.
Besoj se presidenti i ri duhet t`i takoj Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha partitë politike parlamentare.
Në këtë situatë të krijuar pas veprimeve të fundit të Dhomave të Specializuara, na duhet bashkim forcash politike, duke i lërë anash inatet e kahershme dhe interesat e ngushta politike për hirë të ruajtjes së bërthamës së shtetësisë së Kosovës.
Besoj se nuk ka nevojë të mendohet për zgjedhje të reja, sepse jo larg në të kaluarën i kemi pasur zgjedhjet. Nga këto zgjedhje e kemi një kuvend legjitim i cili duhet ta zhbllokojë ngërqin e krijuar muajve të fundit. Besoj se na duhet dije, unitet dhe kreativitet për të dalë nga ky ngërq politik ku kemi hyrë muajve të fundit.
Besoj se kandidati për president duhet të jetë nga LDK-ja. PDK-ja besoj se mundet të udhëheq me qeverinë. VV-ja të udhëheqë me Kuvendin ose me marrëveshje të dakordohen me PDK-në njëra të udhëheqë me Kuvendin, tjetra me qeverinë. AAK-ja të udhëheqë disa dikastere ministrore dhe zv.Kryeministrin, kurse NISMA të udhëheqë me ndonjë dikaster ministror.
#Bashkiadalim

