Me siguri axha Ukshin do të pajtohej me mua!

Sadete Tërnava

Në kujtimet e mia kthehesh aq shpesh, jo pse ishe kryefjala e dijes filozofike dhe pedagog i shquar.

Kthehesh sepse ke qenë shok ne kohë te vështira. Trim e fisnik.

Ke ardhur ne derën tonë pa u arsyetuar se shoku yt, profesor Muhameti ishte keq me shëndet e se mund te te mos pranonte, siç arsyetoheshin dhjetëra profesorë e “miq”, te tjerë, te cilët nga droja prej ndjekjeve nga pushteti (me gjasë për ndonjërin edhe frikë e arsyeshme) gjatë periudhës 1982-1995, nuk u bënë te gjallë.

Kthehesh ne kujtimet e mia edhe nga ajo ditëz e bukur pranvere e vitit 1988, kur erdhe për vizitën e zakonshme dhe hyre ne dhomën e babës.

Pa e pirë kafen, “rrëmbyer” krahësh e more nga dhoma e tij e letrave, e ne pyetjen, shtruar si me merak nga gjyshja, se ku po shkonit, u përgjigje:

“Loke, deri te berberi, se duhet ta tregojmë pak hijeshinë tonë”, e në hamendjen e babës për të dale apo jo, insistove me retorikën e mprehtë: “A nuk po do t’na shohin t’ bukur, e t’ lirë?! Ata kështu kanë qejf me na pa, të rraskapitur e të mërzitur”.

Pas dy orësh, erdhët me tringëllimën e ziles, ashtu siç dolët, për krahu, veç kësaj here me babën flokë e mjekër-shkurtuar dhe për çudi buzagaz.

Ja pra se si e për çka kthehesh ne kujtimet e mia.

Për konceptin e mikut te ditëve te vështira; për tiparet shtesë te kontekstit te filozofisë tënde poliedrike; për kundërshtuesin e deklaratizmit e te verbalizmit; për thellimin se ideja e lirisë së mendimit e sjell veprimin motivues e shpresëdhënës; per faktin se ajo nuk është fetë buke qe ta shuan urinë vetëm një dite.

Të gjithë trumbetojmë për lirinë, besnikërinë, për mikun ne ditë te vështirë, dhe s’ka gjë të keqe këtu.

Kjo e përbën debatin e civilizimit mbi konceptet e jetës.

Por, më së miri i di dikush i cili i ka përjetuar, shkruar e jetuar ato.

Si të tilla janë të shenjta dhe nuk duhet lënë ne duart e atyre qe i kuptojnë vetëm si caqe diskutimi për kënaqësi, teksa pishtarëve dhe familjeve te tyre edhe sot u japin mundime e vuajtje, ndonëse në kontekste tjera.

Me siguri axha Ukshin do të pajtohej me mua!