Kosova po kalon ditë të rënda, Opozita: Jemi ende pa institucione
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë së Kosovës, së bashku me deputetë të Aleancës. Në aksion janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Drenasit, raporton Ekonomia Online.
Asamblisti i Drenasit, Dritan Ajazi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke thënë se ai nuk është i interesuar për formimin e institucioneve.
“Tanimë, siç po e shihni, mashtrimi i Kryeministrit në detyrë vetëm është shpërfaqur në madhësinë e tij, sepse mbrëmë ajo u pa se ai nuk është i interesuar për të bërë institucionet….”, tha ai mes tjerash.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se situata aktuale është shqetësuese dhe se Kosova po përballet me mungesë të institucioneve.
“Mbrëmë qartazi e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj”, tha mes tjerash Deliu.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe të rezistojnë për, siç tha ai, mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjshmërisë.
“Ne qëndrojmë e rezistojmë për mbrojtjen e Kushtetutës, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës. Nuk është opsioni më i keq në botë nëse ka zgjedhje. Opsioni më i keq në botë për ne, për Kosovën, është nëse një njeri, sikurse është Kurti, është edhe kryeministër, edhe president, edhe parlament, edhe gjithçka”, tha mes tjerash Ramadani.

