Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë, për dy vjet ikën mbi 200 mantelbardhë

Kosova rrezikon të mbetet me shëndetësi gjysmake, nëse nuk ndalet trendi i tashëm i ikjes së mjekëve. Bëhet me dije se brenda dy vjetëve ikën rreth 220 mjekë nga Kosova, derisa 150 të tjerë pritet të largohen këtë vit.

Mjekët po largohen nga Kosova, duke kërkuar punë në Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, ku iu ofrohen kushte më të mira pune.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova kanë të bëjnë me kushtet e këqija të punës, problemet me specializime si dhe pagat e ulëta.

Paga e mjekëve në Kosovë është 5-6 fish më e ultë se në Gjermani, ku ata paguhen deri në 4 mijë euro.