Nënkryetari i Komunës për komunitete, Kadir Hysein bën apel për vaksinim masiv kundër Covid-19

Qendra Operative Emergjente në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve për vaksinim masiv kundër Covid-19. Nënkryetari i Komunës për komunitete, Kadir Hysein ka thënë se vetëm përmes vaksinimit masiv mund të krijohet një mbrojtje dhe imunizim në këtë fazë kur shifrat e infeksionit janë gjithnjë në rritje.

Hysein ka thënë se me vakzinimin masiv mundësohet ruajtja shëndetësore e qytetarëve, prandaj për këtë apelohet të respektohet protokolli i shtetit për vaksinim, në të kundërtën në rast të infektimit me virusin Covid-19, gjendja shëndetësore e pacientëve do të jetë shumë më e rëndë.

“Numri i rasteve me Covid-19 në Gjilan është në rritje dhe për këtë janë shtuar kujdestaritë dhe janë mobilizuar të gjitha ekipet emergjente, të gjitha nivelet e shëndetësisë në Gjilan, Policisë së Kosovës, institucionet tjera emergjente dhe konform kësaj kërkohet që distanca, mosgrumbullimi, mbajtja e higjienës dhe vaksinimi të jenë prioritet i çdo qytetari. Fatkeqësisht numri i të vdekurve për gjithë periudhën e përballjes me pandeminë deri më sot është 149 raste dhe për këtë niveli i gatishmërisë në Gjilan është ngritur në nivelin maksimal”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Hysein.

Përndryshe, gjendja e përgjithshme në bazë të statistikave zyrtare konfirmohet se gjithsej kemi 6437 qytetarë të shëruar, 149 qytetarë që kanë humbur betejën me Covid-19, 339 raste aktive dhe mostra në pritje janë 138. Deri më sot janë testuar gjithsej 22527 qytetarë dhe të hospitalizuar janë 21 pacientë, të cilët po monitorohen vazhdimisht nga mjekët në Spitalin e Përgjithshëm. Në bazë të shënimeve konfirmohet se janë janë dhënë 28864 vaksina, prej tyre 9407 të vaksinuar edhe me dozën e dytë.