Kur mund të udhëtojnë përmes portës së Stançiqit banorët e Karadakut?

Gryka e Karadakut është duke e pritur me padurim hapjen e vendkalimit kufitar në Stançiq të Gjilanit, që është paralajmëruar prej disa javësh, por nuk po ndodhë ende.

Prej deceniesh ata duhet të bëjnë dhjetëra kilometra rrugë të tërthortë për t`i vizituar të afërmit e tyre matanë kufirit, me të cilët kanë lidhje gjaku e miqësie.

Gjasat janë që në fillim të vitit 2020 të hapet kjo portë e re e komunikimit, e cila tashmë është gati, por vetëm po pritet një dakordimi mes dy qeverive.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, shpreson se në fillim të janarit do të hapet vendkalimi Stançiq-Bellanoc, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe njerëzve përmes kësaj pjese

Hapja e një vendkalimi në Stançiq është ide e kamotshme që po jetësohet pas një dekade punë e angazhim.

Rajoni i Gjilanit, në pjesën më të madhe kufizohet me Serbinë e Maqedoninë. Në Luginë mund të lëvizet përmes vendkalimit në Myçibabë, ndërsa për Maqedoni nuk kishte vendkalim deri më tani.

Rruga e vjetër e Kumanovës, përmes vendkalimit në Stançiq, si arterie komunikimi ka funksionuar qindra vjet më herët ndërmjet Kosovës e Maqedonisë.

Hapja e rrugës Gjilan-Kumanovë, nëpërmjet Stançiqit do ta bëjë realitet një ëndërr të vjetër qindra vjeçare të banorëve të Grykës së Karadakut, për të përshkruar udhën e vjetër të Mbretit.

Sali Hasani thotë se ky do të jetë një lajm i mirë për shqiptarët në të dyja anët e kufirit, sepse do të kenë mundësi t`i kthehen rrugës së vjetër, të cilën dikur e kanë bërë këmbë baballarët e tyre.

Fshatarët e kësaj ane e kanë ecur këmbë rrugën deri në Kumanovë, sa e sa herë, për të shkuar në Sllupçan, Vaksincë, Lipkovë, Opajë dhe fshatra tjera, me të cilat kanë lidhje miqësie e farefisnore.

Edhe komuna e Vitisë, në pjesën më të madhe kufizohet me Maqedoninë. Banorët e Debëlldeut, Tanushës, Mjakut e fshatrave të tjera, andej e këndej kufirit, kanë lidhje të shumta familjare mes vete.

Për t`i vizituar ata, duhet të bëjnë mbi 100 kilometra rrugë, ndërkaq largësia ajrore nuk është më e shumë se 1.500 metra.

Një pikë kalimi në këtë zonë, që ishte premtuar gjatë procesit të demarkacionit, sikur është harruar fare.