Kosova s’e do ‘ndihmën’ e Vuçiqit për vaksinën anti-COVID-19

Serbia ka paralajmëruar se është e gatshme që vaksinën anti-COVID ta shpërndajë edhe për shqiptarët në Kosovë.

Shteti i Serbisë ka dërguar në Kosovë vaksina anti-COVID për serbët që jetojnë në pjesën veriore dhe këtë e ka bërë pa i njoftuar autoritetet kosovare.

Për shkak të kësaj, Prokuroria Themelore në Mitrovicë tashmë ka nisur hetimet se si kanë hyrë në Kosovë këto vaksina.

Mirëpo, përveç kësaj, gjatë ditës së sotme, në konferencën e fundit vjetore, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se janë të gatshëm që të shpërndajnë vaksinën anti-COVID edhe për shqiptarët e Kosovës.

Lajmi.net, ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, se a do të pranojë një ndihmë të tillë nga Serbia dhe si do të veprojë qeveria rreth këtij veprimi, pasi që tashmë veç kanë nisur hetimet, por Antigona Baxhaku, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, si përgjigje për lajmi.net, ka folur vetëm për bisedën e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku ndër të tjera është folur edhe për vaksinat që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia dhe se Kosova do të marrë vaksinën anti-COVID nga Bashkimi Evropian.

Qeveria ka injoruat plotësisht deklaratën e presidentit serb, duke mos u marrur fare me të.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim z. Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19. Kryeministri Hoti e ka siguruar z. Varhelyi,  se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar z. Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2. Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës  kanë inicuar veprimet  e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime. Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim. Kryeministri Hoti falënderoi  gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19”, thuhet në përgjigjen që Baxhaku ka nisur për lajmi.net.

Theksojmë se tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojnë informatat për hyrjen e vaksinave në Veri të Mitrovicës.