Kosova, shteti i dytë më i varfër në Europë

Sipas një raporti të publikuar nga WorldAtlas, i bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF WEO 2025) për GDP-në për kokë banori sipas fuqisë blerëse (PPP), Kosova renditet si shteti i dytë më i varfër në Europë, menjëherë pas Moldavisë, përcjellë express.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës është e vogël dhe e orientuar nga shërbimet, ku ndërtimtaria, tregtia me pakicë dhe remitancat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik të matur.

“Remitencat nga diaspora kosovare (e përqendruar në Gjermani, Zvicër dhe Austri) arrijnë rregullisht në rreth 15% të GDP-së, një nga raportet më të larta në botë. Rritja reale e GDP-së ka qenë mesatarisht rreth 4% gjatë pesë viteve të fundit, por papunësia e të rinjve është afër 30% dhe një e treta e të rinjve kosovarë nuk janë as në punë, as në arsim apo trajnim”, thuhet ndër tjerash në raport.

Aty përmendet edhe “njohja e kufizuar ndërkombëtare” e vendit, gjë që, siç thuhet në raport, “kufizon qasjen në institucionet ndërkombëtare dhe ngadalëson investimet e huaja”.

Sipas të dhënave të raportit, Moldavia mbetet shteti më i varfër në Europë me GDP për kokë banori sipas PPP-së prej rreth 19,700 dollarësh.

Pas saj renditet Kosova me rreth 20,400 dollarë për kokë banori, e ndjekur nga Ukraina me 21,000 dollarë, Bosnjë e Hercegovina me 22,800 dollarë, Maqedonia e Veriut me 24,300 dollarë, Bjellorusia me 25,500 dollarë, Shqipëria me 25,600 dollarë, Serbia me 28,500 dollarë, Mali i Zi me 31,000 dollarë dhe Bullgaria me 36,000 dollarë.