Kosovarët po ikin nga plazhet e Shqipërisë, sepse nuk po trajtohen njësoj me pushuesit tjerë

Kreu i Shoqatës së hoteleri-turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, ka ngritur alarmin mbi një fenomen që po bëhet gjithnjë e më shqetësues për sektorin turistik në Shqipëri – largimi i turistëve nga Kosova drejt vendeve të tjera të rajonit, veçanërisht Greqisë.

Por, Topuzi nuk i ka identifikuar shkaqet e vërteta të ftohjes së turistëve nga Kosova me sektorin e turizmit në Shqipëri, jo me Shqipërinë.

Resortet turistike në Shqipëri, kanë një tendencë apriori që kosovarët t`i konsiderojnë si pushues të rendit të dytë, duke i vendosur në anekse hotelesh, ose kryesisht në dhoma me pamje nga bregu.

Arsyetimi, gjithmonë është i njëjtë: “janë të zëna me të huaj dhomat me pamje nga deti”.

Injorim i kosovarëve është i pajustifikueshëm, aq më parë kur ata ndër vite ishin pushuesit më besnikë të plazheve shqiptare, edhe atëherë kur kushtet ishin minimale.

Sipas Topuzit, Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për të krijuar një korridor të lehtësuar drejt destinacioneve greke, çka e bën më tërheqëse për pushuesit kosovarë që kërkojnë alternativa të reja dhe më të organizuara për pushimet verore.

Topuzi duhet ta dijë se kosovarët kurrë nuk e kanë favorizuar Greqinë në krahasim me Shqipërinë. Absolutisht jo.

Ai ka të drejtë kur konstaton se Shqipëria po humb një nga tregjet më të qëndrueshme dhe besnike të turizmit.

“Duhet të bëhemi një vend ku ata ndihen të mirëpritur, të angazhuar, ku të kenë çfarë të bëjnë”, theksoi Topuzi.

“Të mirëpritur” – po. Kosovarët nuk zgjedhin asgjë tjetër para Shqipërisë, ama nuk duhet të injorohen.

Të paktën duhet të trajtohen të barabartë me pushuesit tjerë. /Mediafokus