Kosovarizmi i ri
Shkruan: Enver Hasani
Dy fjalë për hyrje
Prej vitesh, në Kosovë dhe më gjerë, kultivohet ideja e një identiteti të ri shtetëror kosovar, i cili shpesh paraqitet si i lidhur me krijimin e një kombi të ri kosovar. Sipas këtij diskursi, ky proces ka nisur më herët dhe është kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Si bazë e kësaj narrative merren kryesisht Kushtetuta e vitit 1974 dhe zhvillimet politike brenda Jugosllavisë, ndërsa anashkalohen ose minimizohen ngjarjet që lidhen me rezistencën dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë gjatë viteve 1998–1999. Kjo krijon një shkëputje nga realiteti historik dhe nga kujtesa e brezit që e përjetoi atë periudhë dhe ndërton një diskurs me vijë artificiale historike që nis me Konferencën e Bunjajt (1943–1944), vazhdon me rrëzimin e Aleksandër Rankoviqit dhe Kushtetutën e vitit 1974 si gurthemeli i pretenduar i shtetësisë së Kosovës, duke përfshirë edhe lëvizjen joviolente të viteve para luftës. Në këtë narrativ, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 mbeten ngjarje të depersonalizuara, pa autorë dhe pa bartës politikë, sikur të kishin qenë rezultat i një procesi të natyrshëm institucional e jo i një përpjekjeje të drejtuar politikisht dhe kombëtarisht. Një deformim i ngjashëm shfaqet edhe në interpretimin e rezistencës joviolente shqiptare të viteve 1990–1999, së cilës i atribuohen shpesh objektiva autonomiste dhe vazhdimësi me rendin jugosllav të vitit 1974.
Ky interpretim nuk mbështetet nga dokumentet dhe literatura e periudhës. Përkundrazi, lëvizja e udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij kishte objektiva kombëtare dhe politike, të orientuara drejt pavarësimit të Kosovës, edhe pse përdorte mjete joviolente, ndryshe nga rezistenca e armatosur e UÇK-së. Ajo që ndryshoi pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995) kishte të bënte me orientimin e politikës amerikane dhe perëndimore ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke krijuar kësisoj kushtet për transformimin e rezistencës shqiptare në Kosovë. Ky ndryshim nuk erdhi si pasojë e dështimit të rezistencës paqësore, por nga fakti se Perëndimi synonte përfundimin e krizës së krijuar nga politika hegjemoniste e Millosheviqit, e cila ishte bërë pengesë për stabilitetin e Ballkanit. Se kjo është kështu lidhet edhe me faktin se, strukturat e rezistencës së armatosur, të lidhura me figura si Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, ekzistonin që në fillim të viteve 1990, por kushtet politike dhe ndërkombëtare nuk lejonin shndërrimin e tyre në një kryengritje të gjerë. Vetëm ndryshimi i qasjes ndërkombëtare ndaj Millosheviqit dhe zhvillimet në ish-Jugosllavi krijuan rrethanat për transformimin e konfliktit në Kosovë. Në këtë kontekst duhet parë edhe ultimatumi i presidentit George H. W. Bush ndaj Millosheviqit në fund të vitit 1991, i cili pati rëndësi në kufizimin e zgjerimit të konfliktit drejt Kosovës, pasi një luftë atje do të kishte pasoja të gjera rajonale dhe implikime për sigurinë evropiane.
Kosova, nga shteti-komb në kombin-shtet
Siç dihet nga studimet mbi formimin e kombeve dhe romantizmin e shekullit XIX, kjo periudhë ishte vendimtare për shndërrimin e popujve evropianë në kombe dhe, në rrethana të caktuara historike, në shtete të reja. Në mënyrë të përgjithshme, ky proces u zhvillua përmes dy modeleve kryesore. Modeli i parë është ai ku shteti krijon kushtet për formimin e kombit, ku shembulli klasik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Modeli i dytë është ai ku kombi paraprin krijimin e shtetit, me Francën si shembull tipik. Ky i fundit njihet gjerësisht si modeli i shtetit-komb (nation-state), forma klasike e ndërtimit të shtetit modern në literaturën politike dhe juridike. Gjermania përfaqëson një model të tretë, të njohur si kombi kulturor (Kulturnation), ku identiteti kombëtar u ndërtua kryesisht mbi kulturën, gjuhën dhe historinë e përbashkët, përpara krijimit të një shteti të unifikuar. Këto terma po përdoren edhe në formën e tyre origjinale, pasi në literaturën shkencore shpesh ruhen pikërisht në këtë trajtë.
Ndryshe nga modeli francez, në Shtetet e Bashkuara shteti u krijua përpara se të formësohej plotësisht kombi. Pas Luftës për Pavarësi (1775–1783), Amerika ishte tashmë një realitet politik, por ende mungonte një narrativ i përbashkët kombëtar. Për këtë arsye, ndërtimi i identitetit amerikan u shndërrua në një proces të gjatë politik, kulturor dhe arsimor, sepse konsolidimi i një kombi kërkon një rrëfim të përbashkët mbi origjinën, historinë dhe misionin e tij. Në modelin amerikan, pra, shteti i parapriu kombit. Ky proces u përshpejtua sidomos pas Luftës Civile, kur u bë e domosdoshme tejkalimi i ndarjeve ndërmjet Veriut dhe Jugut. Figura si Noah Webster dhe George Bancroft kontribuan në ndërtimin e një narrative të re kombëtare, e cila e shkëputi identitetin amerikan nga origjina britanike dhe e paraqiti Amerikën si një projekt politik të veçantë, me gjuhë, histori dhe mision të vetin.
Një zhvillim i ngjashëm, në kuptimin teorik, mund të vërehet edhe në Maqedoninë e Veriut pas vitit 1945. Fillimisht u krijua njësia shtetërore maqedonase brenda federatës jugosllave, ndërsa më pas u ndërtuan gradualisht elementet e një identiteti kombëtar: gjuha standarde, historiografia, institucionet fetare dhe simbolet shtetërore. Debatet që vazhdojnë edhe sot nuk dëshmojnë domosdoshmërisht dështimin e këtij procesi, por natyrën e vazhdueshme të formimit të identiteteve kombëtare. Në këtë kuptim, modeli maqedonas i afrohet përvojës së shumë shteteve të krijuara gjatë dekolonizimit, ku shteti u formua përpara konsolidimit të plotë të identitetit kombëtar.
Edhe në rastin e Kosovës ekziston hapësira që identiteti shtetëror të zhvillohet sipas këtij modeli. Megjithatë, për gjenezën historike të këtij procesi konkurrojnë dy narrativa. E para e kërkon fillesën e shtetësisë në Konferencën e Bunjajt dhe në Kushtetutën e vitit 1974, një interpretim i mbështetur kryesisht nga një pjesë e ish-nomenklaturës komuniste dhe nga autorë që e vazhdojnë këtë qasje historiografike. E dyta e lidh krijimin e shtetit të Kosovës me proceset politike të viteve 1989–2008: rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe shpalljen e pavarësisë.
Modeli francez përfaqëson një rrugë tjetër të formimit të shtetit-komb. Në Francë, kombi konsiderohej se paraprinte shtetin, ndërsa Revolucioni i vitit 1789 krijoi kushtet për shndërrimin e monarkisë në një shtet modern të bazuar në sovranitetin e qytetarëve. Përmes ideve të autorëve si Abbé Sieyès, kombi u përcaktua jo mbi baza etnike, gjuhësore apo fetare, por mbi parimin e vullnetit politik të përbashkët. Ky model u konsolidua më tej nga Napoleoni dhe u përhap në Evropë e më vonë në botë si një nga format kryesore të organizimit politik modern.
Ashtu si shumë shtete të krijuara gjatë shekullit XX, edhe Kosova ndodhet në procesin e ndërtimit të një shteti-komb. Në këtë rast, shteti tashmë ekziston si realitet juridik dhe politik, ndërsa identiteti i përbashkët shtetëror do të ndërtohet gradualisht përmes institucioneve, kujtesës historike dhe një narrative të përbashkët politike. Ky proces nuk synon krijimin e një kombi të ri etnik, por ndërtimin e një bashkësie politike qytetarësh të lidhur me shtetin e Kosovës. Në këtë kuptim, identiteti shtetëror kosovar zhvillohet mbi realitetin demografik dhe historik të shumicës shqiptare, duke përfshirë njëkohësisht edhe komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Ai nuk e zëvendëson identitetin kombëtar të qytetarëve, por krijon një nivel të ri përkatësie të bazuar në institucionet shtetërore, rendin kushtetues dhe përvojën e përbashkët politike.
Lufta për narrativën e re
Lufta për ndërtimin e identitetit të ri shtetëror të Kosovës është, në thelb, përballje ndërmjet dy narrativave historike. E para e vendos fillesën e shtetësisë së Kosovës te Konferenca e Bunjajt, e vazhdon me Kushtetutën e vitit 1974 dhe e paraqet rezistencën joviolente të viteve 1989–1997 si vazhdimësi të projektit politik të elitës komuniste shqiptare në Kosovë. Brenda kësaj narrative, lufta e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 relativizohen ose paraqiten si ngjarje të shkëputura nga projekti politik dhe sakrifica shumëvjeçare e shqiptarëve të Kosovës.
Narrativa tjetër mbështetet në idenë se shteti i Kosovës është produkt i një zhvillimi të ri historik, i cili nis me shpërbërjen e rendit kushtetues jugosllav në fund të viteve 1980, vazhdon me rezistencën paqësore dhe luftën çlirimtare dhe përmbyllet me shpalljen e pavarësisë. Sipas këtij këndvështrimi, identiteti shtetëror i Kosovës nuk e kërkon legjitimitetin në strukturat politike të Jugosllavisë socialiste, por në përvojën historike që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Identiteti krahinor i kosovarit, ndërkaq, ka ekzistuar prej kohësh, por ai nuk ka përfaqësuar një identitet të veçantë as politik, as shtetëror e as etnik. Edhe Fan Noli, kur përdorte termin “kosovar”, i referohej shqiptarëve të Kosovës historike dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, jo një kombi të veçantë.
Edhe zhvillimet politike pas Luftës së Dytë Botërore tregojnë se statusi kushtetues i Kosovës nuk ishte rezultat i një projekti të mirëfilltë shtetformues i ngjizur nën Jugosllaviën komuniste. Spasoje Gjakoviq, në veprën Sukobi na Kosovu, përmend se në një fazë ishte shqyrtuar mundësia e bashkimit të Kosovës me Malin e Zi, por kjo u braktis për shkak të shqetësimeve mbi peshën demografike të shqiptarëve. Ndërsa Milovan Gjilas, në kujtimet e tij Tito: Story from Inside, thekson se edhe statusi republikan i Malit të Zi ishte kryesisht rezultat i një vendimi politik të Josip Broz Titos dhe jo vetëm i një procesi të brendshëm kombëtar. Këto dëshmi tregojnë se organizimi federal jugosllav u përcaktua shpesh nga ekuilibrat politikë dhe vendimet e udhëheqjes federale, jo nga një proces i natyrshëm shtetformues kombëtar. Për këtë arsye, është vështirë të argumentohet se identiteti shtetëror i Kosovës mund të ketë prejardhjen në vendimet e marra nga establishmenti komunist jugosllav. Një establishment zyrtar i një sistemi komunist, i cili e kishte ndërtuar legjitimitetin mbi ideologjinë klasore dhe barazinë formale ndërmjet komuniteteve, nuk mund të paraqitet si autor i një procesi shtetformues kombëtar që në fakt kërkonte një shkëputje nga ai rend politik.
Në përgjithësi, themelet e shtetësisë së një kombi që kërkon krijimin e një identiteti të ri politik nuk vendosen brenda institucioneve të shtetit nga i cili kërkohet shkëputja, por jashtë tyre, përmes lëvizjeve shoqërore dhe politike që ndërtojnë një narrativ të ri kombëtar. Kështu, Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk u formësua brenda institucioneve osmane nga funksionarët e saj, nacionalizmi serb nuk u krijua nga establishmenti i Principatës Serbe, ndërsa projekti kombëtar kroat nuk u hartua nga institucionet rajonale nën Austro-Hungari. Edhe Ataturku nuk e nisi revolucionin turk si pjesë e establishmentit osman, ndërsa Fichte nuk i mbajti ligjëratat e tij mbi kombin gjerman si përfaqësues i një rendi politik që ai synonte ta transformonte.
E njëjta logjikë shihet edhe në shumë raste të shtetformimit pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë procesit të dekolonizimit. Në shumicën e rasteve, shtetet e reja nuk u krijuan mbi bazën e institucioneve të metropoleve koloniale, por përmes kundërshtimit ndaj tyre dhe ndërtimit të një identiteti të ri politik. Përjashtimet e disa shteteve me homogjenitet të lartë etnik nuk e ndryshojnë këtë prirje të përgjithshme historike.
Në këtë kuptim, edhe shtetësia e Kosovës nuk mund të kërkojë themelin e saj te strukturat politike të Jugosllavisë socialiste, por te proceset që u zhvilluan jashtë atij rendi: rezistenca politike shqiptare, transformimet e fundit të shekullit XX, lufta e viteve 1998–1999 dhe krijimi i shtetit të pavarur. Arsyet për këtë janë shkencore dhe bazohen në literaturën juridiko-politike, kushtetuese dhe, mbi të gjitha, historiko-sociologjike që trajton ish-universin komunist evropian.
Tri i veçojmë në vijim në vijim. Së pari, literatura dhe përvoja e asimiluar në te tregojnë se organizimi i republikave federale, republikave autonome dhe njësive të tjera territoriale në Jugosllavinë pas Luftës së Dytë Botërore u zhvillua brenda logjikës së modelit sovjetik të organizimit kombëtar dhe kushtetues. Kjo shihet edhe në mënyrën se si u përcaktuan kufijtë dhe statuset administrative të njësive federale, përfshirë copëtimin territorial të Kosovës pas vitit 1945 dhe ndryshimet e mëvonshme kufitare. Së dyti, vullneti politik i shqiptarëve dhe i popujve të tjerë jo-sllav të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik nuk kishin asnjë rol në këtë proces: krijimi dhe ndryshimi i njësive federale dhe formave të tjera institucionale të atyre shteteve mbështeteshin në konceptin stalinist të kombit dhe në rolin udhëheqës të partisë komuniste si instrument i zbatimit të këtij modeli politik. Së fundi, asnjë strukturë normative mbi federalizimin e Jugosllavisë, e modeluar sipas modelit sovjetik, përfshirë Kushtetutën e vitit 1974, nuk krijoi një të drejtë të veçantë për vetëvendosje të shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, edhe Mendimi Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës nuk e mbështeti arsyetimin e tij mbi Kushtetutën e vitit 1974, ndërsa Konferenca e Bunjajt nuk pati asnjë rol juridik në atë proces. Edhe deklaratat e figurave të kohës, përfshirë Fadil Hoxhën pas rënies së komunizmit, tregojnë se kuptimi i rolit të kushtetutës dhe i strukturës shtetërore nuk ishte i artikuluar si një projekt i pavarësisë së Kosovës. Për këtë arsye, është e vështirë të argumentohet se themelet e shtetësisë së Kosovës gjenden në rendin kushtetues jugosllav, kur vetë aktorët e atij sistemi nuk e paraqitën atë si një projekt të krijimit të një shteti të pavarur.
Nga sa më sipër, qartë shihet se faktet e shtetformimit të Kosovës brenda ish-Jugosllavisë nuk kanë ekzistuar kurrë, në kuptimin e një projekti të pavarur shtetëror. Kjo është një rrethanë historike që nuk mund të ndryshohet përmes një narrative që e vendos lindjen e shtetit të Kosovës ose të një identiteti të ri kosovar në periudhën komuniste, veçanërisht në Konferencën e Bunjajt. Siç ka argumentuar Noel Malcolm mbi bazën e dokumenteve arkivore, kjo konferencë u zhvillua pa garanci ndërkombëtare dhe pa peshën politike të një akti shtetformues. Ajo ishte kryesisht një kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve politike të kohës, përfshirë krijimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit disa muaj më herët. Komunistët jugosllavë nuk e penguan mbajtjen e Konferencës së Bunjajt në kuadër të strategjisë së Titos për të fituar mbështetjen e shqiptarëve për lëvizjen partizane. Në atë periudhë, një pjesë e shqiptarëve e shihnin ardhjen e komunizmit si një kërcënim për identitetin dhe pozitën e tyre kombëtare. Kjo pasqyrohet edhe në dëshmitë dhe analizat e figurave politike e ushtarake të kohës, të cilat tregojnë kompleksitetin e pozicionimeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për rrjedhojë, një narrativ që mbështetet kryesisht në Konferencën e Bunjajt, Kushtetutën e vitit 1974dhe në një paraqitje të depersonalizuar të luftës së Kosovës për çlirim nga regjimi i Millosheviqit, nuk ofron bazën e mjaftueshme për ndërtimin e identitetit të ri shtetëror kosovar. Shndërrimi i Kosovës nga një komb-shtet në një shtet-komb kërkon një narrativ tjetër, të ndërtuar mbi përvojën historike të krijimit të shtetit të pavarur, mbi institucionet e tij dhe mbi kujtesën e përbashkët politike. Rasti i Austrisë është veçanërisht domethënës për Kosovën. Perandoria Austro-Hungareze ishte një formacion multikulturor, shumëgjuhësh dhe shumëkonfesional, por kjo nuk i pengoi gjermanët e Austrisë të ruanin identitetin e tyre kulturor dhe historik. Edhe pas humbjeve politike dhe ushtarake të botës gjermane në shekullin XIX, lidhja e tyre me identitetin gjerman nuk u zhduk. Megjithatë, zhvillimi i mëvonshëm shtetëror bëri që Austria të ndërtonte një identitet të vetin politik, i cili sot bashkëjeton pa konflikt me trashëgiminë e saj gjermane.
Ky është edhe mësimi që mund të vlejë për Kosovën: ndërtimi i një identiteti të ri shtetëror nuk kërkon mohimin e identiteteve ekzistuese, por krijimin e një narrative të re politike. Kjo narrativë nuk duhet të mbështetet në shtrembërime historike dhe as ta fillojë historinë e shtetësisë së Kosovës me Konferencën e Bunjajt apo me Kushtetutën e vitit 1974. Këto kanë rëndësi si pjesë e historisë politike dhe kushtetuese të Kosovës, por nuk përbëjnë themelin e procesit shtetformues. Narrativa e re duhet ta vendosë Bunjajn dhe zhvillimet e periudhës jugosllave brenda kontekstit të tyre historik, ndërsa gjenezën e shtetit të Kosovës ta lidhë me proceset politike të fundit të shekullit XX: rezistencën, luftën, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shpalljen e pavarësisë. Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një identitet shtetëror që bashkon qytetarët pa mohuar historinë e tyre.
Kërkimi i një narrative të përbashkët
Kosovarizmi duhet kuptuar si proces i krijimit të një identiteti të ri shtetëror, i cili nuk synon të zëvendësojë apo mohojë identitetin kombëtar shqiptar të shumicës së qytetarëve të Kosovës, por të ndërtojë një lidhje të re politike ndërmjet qytetarëve dhe shtetit të tyre. Në këtë kuptim, Kosova ndodhet përpara një procesi të ngjashëm me atë të disa shteteve moderne që kanë krijuar identitete të përbashkëta politike përmes institucioneve shtetërore, narrativave historike dhe përvojës së përbashkët qytetare. Shembulli amerikan është një nga rastet më të qarta: Shtetet e Bashkuara nuk u krijuan mbi bazën e një kombi homogjen të formuar paraprakisht, por shteti i ri amerikan gradualisht ndërtoi një identitet të përbashkët politik.
Pikërisht për këtë arsye, gjeneza e shtetësisë së Kosovës nuk mund të kërkohet te Konferenca e Bunjajt apo te Kushtetuta e vitit 1974. Këto janë pjesë e rëndësishme e historisë politike dhe kushtetuese të Kosovës brenda Jugosllavisë, por nuk krijuan një identitet të ri politik kosovar dhe as një projekt të pavarur shtetëror. Ato nuk e vunë në diskutim ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe nuk krijuan një identitet politik që do të bashkonte shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet e tjera rreth një shteti të veçantë. Në këtë kuptim, kosovarizmi nuk është një përpjekje për të krijuar një komb të ri etnik, por një proces i ndërtimit të një bashkësie politike qytetare, ku shteti, institucionet dhe kujtesa e përbashkët historike krijojnë një identitet të ri shtetëror.
Fakti se autonomia administrative nuk e zgjidh domosdoshmërisht çështjen kombëtare dëshmohet edhe nga raste të tjera historike. Përvoja polake gjatë shekullit XIX tregon se një komunitet kombëtar mund t’i vazhdojë kërkesat e tij politike edhe kur gëzon forma të caktuara autonomie. Polakët zhvilluan rezistencë si ndaj Perandorisë Ruse, e cila kufizonte rëndë identitetin e tyre kombëtar, ashtu edhe ndaj Prusisë, megjithëse kjo e fundit ofronte nivele më të gjera autonomie administrative. Ky rast tregon se çështjet kombëtare nuk përcaktohen vetëm nga shkalla e kompetencave institucionale, por nga marrëdhënia ndërmjet identitetit kombëtar dhe rendit politik ku ai vendoset. Edhe në rastin e Kosovës, lëvizja kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi nuk u kufizua në kërkesa për status administrativ. Ajo kishte karakter më të gjerë politik dhe përfshinte shqiptarë nga viset jashtë Kosovës, duke synuar barazi kombëtare dhe politike. Për këtë arsye, çështja shqiptare nuk do të zgjidhej domosdoshmërisht as me një status republikan për Kosovën brenda Jugosllavisë, sepse problemi themelor lidhej me pozitën e shqiptarëve si komb brenda një federate të ndërtuar mbi identitete të tjera kombëtare.
Në këtë kuptim, narrativa e shtetësisë së Kosovës u formësua pas rënies së komunizmit dhe u ndërtua mbi dy shtylla kryesore: rezistencën paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe rezistencën e armatosur të mishëruar nga Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të dyja këto forma të rezistencës e kishin Kosovën si pikë qendrore dhe synonin shkëputjen nga rendi politik jugosllav e serb. Ky proces u përmbyll me ndërhyrjen ndërkombëtare të vitit 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Kosovarizmi, për aq sa shfaqet në këtë periudhë, nuk është një përpjekje për të krijuar një identitet të ri etnik, por një identitet të ri politik të lidhur me shtetin e Kosovës. Ndryshe nga nacionalizmat klasikë, të cilët shpesh e kërkonin legjitimitetin në lashtësi, gjuhë ose origjinë të përbashkët, narrativa shtetërore e Kosovës pas rënies së komunizmit mbështetet në përvojën moderne të shoqërisë së saj: rezistencën politike, luftën për liri, ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e një rendi qytetar. Ky proces ka ngjashmëri me mënyrën se si janë formuar identitete të tjera moderne shtetërore. Ashtu si amerikanët kërkuan të shkëputnin identitetin e tyre politik nga Britania dhe ndërtuan një narrativ të ri rreth shtetit të tyre, edhe Kosova po ndërton një narrativ politik që nuk mohon origjinën shqiptare të shumicës së qytetarëve të saj, por e vendos atë brenda një kornize të re shtetërore.
Shteti dhe kombi nuk janë e njëjta gjë. Shteti është një strukturë politike e ndërtuar mbi institucione, kushtetutë dhe ligje, ndërsa kombi është një bashkësi shoqërore e formuar mbi kujtesën, kulturën dhe narrativin e origjinës së përbashkët. Historia moderne tregon se shtetet mund të luajnë rol aktiv në krijimin e identiteteve politike të përbashkëta. Edhe në Shtetet e Bashkuara, identiteti amerikan nuk u konsolidua menjëherë pas pavarësisë, por përmes një procesi të gjatë historik, veçanërisht pas Luftës Civile, kur Amendamentet XIV dhe XV vendosën baza të reja juridike për qytetarinë dhe barazinë. Më pas, proceset e barazisë racore, zgjerimit të të drejtave qytetare dhe integrimit të valëve të emigracionit vazhduan ndërtimin e një identiteti të përbashkët politik amerikan. Në këtë kuptim, edhe kosovarizmi duhet kuptuar si një proces historik afatgjatë: ndërtimi i një identiteti shtetëror që bashkon qytetarët rreth institucioneve dhe përvojës së përbashkët politike, pa e mohuar identitetin kombëtar të tyre.
Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare

