Kosovë, 12 persona humbën jetën në vendin e punës brenda shtatë muajve

Rasti i fundit në Prishtinë, ku një 26-vjeçar humbi jetën nga rrëzimi i një vinçi, e ka çuar në 12 numrin e viktimave gjatë këtij viti

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, vinçi ishte duke u montuar në momentin kur ndodhi aksidenti fatal.

Ky është rasti i dytë brenda pak më shumë se një muaji ku rrëzimi i një vinçi rezulton me viktimë, pasi një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në Prizren, ku gjithashtu humbi jetën një punëtor.

Deri në fund të muajit maj, numri i viktimave në vendin e punës ishte 10, me pjesën më të madhe të rasteve të regjistruara në sektorin e ndërtimit.

Për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve fatale, Ministria e Punës, e udhëhequr nga ministri në detyrë Andin Hoti, ka intensifikuar inspektimet në vendpunishte përmes Inspektoratit Qendror të Punës.

Vetëm javën e kaluar, inspektorët pezulluan punimet në 16 vendpunishte në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë-Kosovë, pasi konstatuan shkelje të rënda të rregullave të sigurisë që rrezikonin jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Aksionet inspektuese synojnë rritjen e sigurisë në vendet e punës, pas një serie aksidentesh me pasoja fatale. (foto ilustrim)