KPK dhe Prokurori i Shtetit: Deklaratat e Kurtit e Haxhiut të pasakta e tendencioze, po paragjykojnë punën tonë

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media që u mbajt sot, ku thanë se dhunuesit janë dënuar vazhdimisht me kusht ose u parashkruhet lënda.

Në komunikatën e lëshuar për media, deklaratat e Kurtit e Haxhiut janë quajtur të pamatura dhe të paverifikuara, pasi sipas tyre demantohen nga raportet zyrtare.

“Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.”.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë viteve 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.”, thuhet tutje në reagim.

Këto dy institucione i cilësojnë si të pasakta deklaratat e Kurtit e Haxhiut.

“Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial. KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

“Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, përfundon komunikata.