KQZ është e gatshme për zgjedhje nëse dështon koalicioni

Mundësia për të shkuar Kosova në zgjedhje të reja, nuk përjashtohet aspak, nëse dështon marrëveshja e koalicionit LVV-LDK, ndonëse realisht zgjedhjet nuk i konvenojnë asnjërës palë.

KQZ është shprehur e gatshme për të organizuar zgjedhje të reja, nëse vendoset për ta thirrur popullin në një votim tjetër, për shkak të dështimit të dy subjekteve kryesore për të arritur një marrëveshje partneriteti qeverisës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është i gatshëm që të organizojë edhe një palë zgjedhje, pas atyre të 6 tetorit, ka thënë Valdete Daka.

Kryetarja e KQZ-së, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se edhe pse është sfiduese organizimin edhe i një palë zgjedhjeve, duhet të përmbushin këtë obligim kushtetues, nëse kjo u kërkohet.

“Ato janë supozime ne nuk mundemi me ditë, por gjithsesi ne do t’i organizojmë kurdo qofshin ato zgjedhje sepse e kemi obligim kushtetues dhe nuk është në dëshirën tonë që të vendosim se a do t’i organizojmë apo jo, por gjithsesi është më se sfiduese që të organizohen një pas një zgjedhjet”, ka thënë ajo.

Nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, shteti ka buxhet rezervë, i cili do të mund të shfrytëzohej për këtë qëllim.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, ka sqaruar për Ekonomia Online se në kuadër të kësaj ministrie ekziston një fond i cili mund të përdoret në rast se vendi mbetet pa Qeveri, por vetëm nëse zgjedhjet mbahen para muajit prill.

Zgjedhjet e parakohshme për pushtet qendror janë mbajtur më 6 tetor të këtij viti, meqë kryeministri Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i Qeverisë, pas ftesës nga Gjykata e Hagës.