KQZ nuk regjistron Partia Demokratike në zgjedhjet vendore në Shqipëri
Partia Demokratike e Shqipërisë nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ishte ky vendimi i marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Celibashit, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen.
Celibashi nënvizoi se Basha si kryetar, nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje, por firmën e ka vendosur Enkelejd Alibeaj, i cili edhe pse është nënkryetar, nuk e ka këtë atribut.
“Në kushtet kur në zyrën e regjistrit të partive politike të Gjykatës së rrethit Tiranë, nuk është bërë njoftimi i dorëheqjes së zotit Lulzim Basha si kryetar si dhe nuk është bërë dorëzimi i aktit sipas të cilit, bazuar në statutin e PD, është zoti Alibeaj ai që ushtron detyrën e kryetarit, atëherë, ai si nënkryetar i PD, mundet të pranojë se i ushtron disa kompetenca të kryetarit, apo edhe pjesën më të madhe të këtyre kompetencave, por nuk mund të pranohet kurrsesi që ai ushtron të gjitha komptetencat dhe përgjegjësitë e PD”, tha Celibashi.

