Zbardhet rasti tragjik i 12-vjeçares: Nuk ishte vetëvrasje, por vrasje me pahir nga i vëllai

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur dje, ku u vra me armë zjarri një 12-vjeçare. Mësohet se mitura me inicialet E.GJ., nuk ishte vetëvrarë, siç ishte raportuar filimisht, por ajo është vrarë aksidentalisht nga vëllai i saj me një armë të gjuetisë sportive.

Policia ka arrestuar xhaxhain e të ndjerës, shtetasin me inicialet Xh. Gj., 30 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Njoftimi i plotë

Nga strukturat hetimore të Stacionit të Policisë Velipojë, nën drejtimin e Prokurorisë  në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 10.02.2021, u arrestua në flagrancë  shtetasi Xh. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Baks, Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”(xhaxhai i 12 vjeçares)

Ky shtetas u arrestua pasi në banesë mbante pa leje një armë gjahu, me të cilën shtetasi i mitur E. Gj. aksidentalisht  ka shkrepur armën në drejtim të motrës së tij, shtetases E. Gj., e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.