Krasniqi: Në vitin e parë të Qeverisë Kurti pushteti është shndërruar në ndërmarrje për punësime familjare
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës vitin e parë të Qeverisë Kurti.
“Ky vit mund të përshkruhet në shumë drejtime, port ë gjitha drejtimet e kanë një emërues të përbashkët, paaftësia. Qeveri e paaftë dhe jo kompetente. Nuk është thjeshtë veç performanca e dobët, karakteristika themelore është kostoja që ka prodhuar për qytetarët. Ky vit ka nxjerrë një epilog për ne si opozitë. Qëndrimi i gjatë në opozitë e patën sjellë një perspektivë të zymtë mbi institucionet tona.
Si pasojë e regreseve, qytetarët kanë filluar të mos shohin as të ardhme të atdheun e tyre për fat të keq. Programi i qeverisë Kurti ka qenë lojë fjalësh, aty ku s’ka qenë lojë fjalësh ka qenë kopje planesh, e aty ku s’ka qenë kopje planesh ka qenë e mbushur me nocione librash.
Gjatë këtij viti, numri i të papunëve është rritur tepër shumë, numri i të rinjve që duan të largohen nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë. Në vitin e parë institucionet edhe ato të pavarura janë super politizuar dhe pushteti është shndërruar në një ndërmarrje për punësime familjare dhe partiake”, tha Krasniqi, raporton Sinjali.

