Krasniqi (PDK) thotë se Escobari dhe Lajçaku shprehën zhgënjimin e thellë me Qeverinë Kurti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak.
Pas takimit, Krasniqi ka dhënë një prononcim për media, ku ka theksuar se asnjëherë më parë nuk i ka parë partnerët kaq të shqetësuar me Qeverinë e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Dëgjuam qëndrimet amerikane që tashmë janë të njohura. Për PDK-në, vërtetë shqetësimi për situatën aktuale është i madh. Ka një situatë që po e dëmton Kosovën, andaj kërkuam që të luajmë rolin tonë shtetëror për të ruajtur relacionet me ShBA-në dhe BE-në”, ka thënë Krasniqi.
I pari i PDK-së ka treguar se nuk ka pasur kërkesa specifike nga Escobar dhe Lajçak, përveç një informimi më të detajuar rreth situatës.
“Asnjëherë më parë s’kam parë këso shqetësimi nga ana e partnerëve të Kosovës. Nuk është aspak e mirë të dëgjosh ata duke shprehur këtë zhgënjim kaq të thelle me Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
“Zgjidhja e situatës është te Qeveria e Kosovë dhe Presidenca. Fatkeqësisht në këto dy vite kemi vetëm kriza të shkaktuara na Qeveria Kurti. Presidentja Osmani duhet të flasë edhe për përjashtimin e Ushtrisë së Kosovës nga Defender 23”, ka përfunduar Krasniqi.

