Krimet serbe duhet të jenë agjendë e përhershme e institucioneve të vendit

Myzejene Selmani

Çështja e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, asnjëherë nuk mund të ndalet për aq sa nuk gjenden trupat e tyre. Janë mbi dy dekada që Serbia po përpiqet të fshehë një krim të dyfishtë jo vetëm të vrasjes së civilëve, por edhe zhdukjes së trupave të tyre.

Pjesërisht hisenik të kësaj heshtje janë edhe faktorë ndërkombëtarë të cilët asnjëherë nuk e hapën çështjen e zhdukjes së trupave të pajetë në lumin Danub që u zbardh qysh në vitin 2001.

Madje për këtë dha dëshmi në një ambasadë perëndimore në një vend të dytë, larg syrit të opinionit autori i bartjes së kufomave i cili ishte traumatizuar. Serbia jo që nuk hapi asnjë hetim për këto raste dhe të ndihej e turpëruar, por sajuan shtëpinë e verdhë pa asnjë fakt.

Institucionet e Kosovës përgjatë dy dekadave po thuaj nuk kanë bërë asnjë lëvizje, edhe pse me plot dëshmi që nga viti 2001 kur u zbardhë skema e fshehjes së krimeve në Danub, Perucac dhe Batajnicë, për ta akuzuar rëndë para faktorëve ndërkombëtar Serbinë për të bëmat e saj.

Komisioni për krime lufte i ngritur nga qeveria është mbyllur dhe asnjë e dhënë rreth punës së tyre. Pak libra, asnjë film me plot rrëfime dhe dëshmi të gjalla.

Serbia ka organizuar qindra ekspozita edhe nëpër anije nëpër shumë kryeqendra botërore. Nuk reaguam si duhet as kur Akademia e Shkencave Serbe më 2011 kishte hartuar një projekt sipas së cilës përmes mekanizmave veprues të nxisin vendet fqinjë të heqin dorë nga akuzat e paralajmëruara. Këtë memorandum Serbia e kishte hartuar ta “shpëtojë” vetën pas gjithë atyre dështimeve dhe ta vendos në pozitë të barabartë me shtetet ndaj të cilave ka kryer agresion.

Edhe dokumenti i dytë në përmbajtje aspak nuk dallon nga programet e njohura serbomadhe vetëm se është kamuflluar për kohë të saj. Më së shumti është drejtuar në sanimin e dëmit që ka sjellë agresioni i dështuar në Kroaci, BH dhe Kosovë.

“Zvoglimi i përgjegjësisë së Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet dhe aktakuzat e ndjekjet, proceset gjyqësore të montuara kundër shtetasve të BH, Kroacisë dhe Kosovës ti vendosin në pozitë të barabartë me shtetet përrreth”, thuhet në njërën pikë.

Është koha që komisioni qeveritar për hetime të krimeve të paraqes publikisht të gjeturat dhe që të demaskojmë cdo tentativë të Serbisë për fshehjen e krimeve.