Krushqit, nderi dhe zakonet e dikurshme
Në Malësinë e dikurshme, nderi i burrit dhe i fisit qëndronte mbi gjithçka. Dasmat nuk ishin vetëm festa familjare, por ngjarje ku përfaqësohej krenaria, forca dhe dinjiteti i një dere të tërë.
Për këtë arsye, çdo veprim i pahijshëm gjatë ceremonive të dasmës konsiderohej cenim i rëndë i rendit dhe i zakoneve.
Në rastet kur ndonjë krushk bënte një shkelje, si gjuajtja me armë pa lejen e të zotit të shtëpisë, dënimet mund të ishin të rënda.
Megjithatë, shpesh ato zbuteshin dhe shndërroheshin në sprova që kërkonin trimëri dhe mjeshtëri.
Një prej tyre ishte gjuajtja në shenjë. Derisa shenja të qëllohej me sukses, kerri i kuq i nuses nuk guxonte të lëvizte nga vendi.
Kjo ishte një provë e vështirë, që kërkonte qetësi, saktësi dhe përgjegjësi.
Pikërisht për këtë arsye, për krushq zgjidheshin burra të njohur si shënjestarë të mirë dhe të aftë në përdorimin e armëve.
Ndër ngjarjet më të rënda dhe më tragjike të traditës ishte takimi i dy palëve të krushqve në rrugë.
Sipas zakonit, njëra palë duhej t’i hapte rrugën tjetrës.
Refuzimi shihej si fyerje e rëndë ndaj nderit dhe mund të përfundonte në përleshje të armatosura me pasoja fatale.
Rrëfimet e vjetra tregojnë se në disa raste tragjedia arrinte deri aty sa viktimat e fundit të përplasjeve bëheshin edhe vetë nuset.
Sot këto ngjarje duken të largëta dhe të pabesueshme. Fatmirësisht, ato kanë mbetur kryesisht në kujtesën popullore, në rrëfimet e pleqve dhe në emra vendesh që dëshmojnë historinë e tyre, si “Varret e Krushqve” apo “Varret e Nuseve”.
Ato janë kujtesë e një kohe kur zakoni kishte forcën e ligjit dhe kur nderi mbrohej me çdo çmim.
Koha ka ndryshuar dhe bashkë me të edhe mënyra e të menduarit.
Sot dasmat janë festa gëzimi e afrimi mes familjeve, ndërsa këto tregime mbeten pjesë e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, dëshmi e një bote që dikur ishte krejt ndryshe nga ajo që njohim sot./Sabedin Sherifi

