Kryengritësit e Gjilanit e mundën vetë ushtrinë e Turgut Pashës në Kaçanik
Kryengritësit shqiptarë të regjionit të Gjilanit kanë zhvilluar e fituar beteja të mëdha gjatë një shekulli përpjekje për liri kombëtare.
Këta kryengritës, në krye me Idriz Seferin, në prill 1910, e mundën edhe ushtrinë osmane në Kaçanik, shkruan portali mediafokus.info.
Në një raport të Mita Dimitrijeviq, nëpunës i konsullatës serbe në Shkup, të datës 12 (29) prill 1910, përshkruhet marrja e Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptarë.
“Të premten, më 22 prill 1910, kryengritësit e Gjilanit janë nisur për në Moravë dhe të shtunën më 23 prill 1910 futën nën kontroll Grykën e Kaçanikut, kurse më 24 prill e ndalën trenin që qarkullonte prej Mitrovicës në drejtim të Shkupit”.
Historiani Naim Musliu thotë se në mesin e udhëtarëve kishte edhe gazetarë të huaj të cilët po ndiqnin nga afër ekspeditat e gjeneralit osman Shefqet Turgut Pasha.
Kaçaniku ishte pjesë taktike e krerëve të kryengritjes, por meritën më të madhe për këtë e kishte Idriz Seferi, prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Kazasë së Gjilanit e më gjerë, i cili ishte shquar si komandant dhe strateg i rrallë.
Për mençurinë dhe strategjinë e mirë që përdorën prijësit e kryengritësve të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës, njoftonte edhe konsulli austro-hungarez në Selanik, i cili thoshte se shtënia në dorë e kësaj gryke ishte bërë me mençuri.
Ai thoshte se kjo fitore i detyroi shumë vëzhgues e gazetarë të supozojnë se në mesin e kryengritësve kishte edhe këshilltarë ushtarak austro-hungarez, por sipas këtij konsulli kjo tezë hidhet poshtë, sepse shqiptarët edhe në kryengritjet e mëparshme ishin shquar si strateg lufte.
Kjo fitore e kryengritësve shqiptarë alarmoi kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, se kryengritja shqiptare ishte shumë serioze dhe po e kërcënonte ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan.
Nga frika se kryengritësit gjilanas do të vërsulen drejt Shkupit, si qendër e Vilajetit, autoritetet osmane përforcuan pozitat strategjike të këtij qyteti, duke vendosur ushtrinë osmane jashtë Shkupit në drejtim të Kaçanikut, e cila kërkonte përforcime ushtarake nga Selaniku./Mediafokus

