Kryeprokurori i Shtetit: I kemi nisur të gjitha hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit
Konferenca e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari, ka mobilizuar institucionet e drejtësisë. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se e ka njoftuar Prokurorinë Speciale dhe Policinë për këtë rast.
“E kam njoftuar Kryeprokurorinë e Prokurorisë Speciale, unë jam pushim vjetor. Është duke u marrë Policia dhe Prokuroria me këtë rast. I kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore menjëherë”, ka thënë Kelmendi për gazetën Nacionale.
Kelmendi ka theksuar se të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit për zhdukjen e mostrave.
“E kam kontaktuar Blerim Isufajn, pasi ata e kanë rastin Dehari dhe ata duhet me qenë të njoftuar për rastin, Pastaj edhe Policia janë të njoftuar dhe janë duke ndërmarrë veprime sipas ligjit, më shumë informacione nuk mund të jap tash për tash”, deklaroi Besim Kelmendi.
I pyetur për dyshimet e para se kur mund të jenë zhdukur mostrat, Kelmendi tha se tash duhet të bëhet verifikimi brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Ajo është brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, duhet me u verifiku se ku ka mbetur”, ka përfunduar Besim Kelmendi.
Se i kanë nisur hetimet e ka konfirmuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. I pyetur nëse kanë marrë në pyetje ndonjë person, Isufaj tha se “janë ndërmarrë të gjitha veprimet”
“I kemi nisur të gjitha veprimet hetimore”, tha shkurt Blerim Isufaj.
Sipas deklarataës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kontrolli i këtyre mostrave për herën e fundit ishte bërë në tetor të vitit 2021.
Që nga atëherë, nuk dihet se kur mund të jenë zhdukur mostrat. Mungesa e tyre është vërejtur tek mbrëmë.
Çfarë tha ministrja Haxhiu?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se qasje në vendin ku ruheshin epruvetat e rastit Dehari, kanë vetëm tre persona. Si rrjedhojë, ajo tha se mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.
Për këtë çështje, ajo tha se i ka njoftuar prokurorinë e shtetit dhe policinë.
“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- ka thënë Haxhiu.
Ajo shtoi më tej se i di emrat e personave që kishin qasje në vendin ku ruheshin epruvetat.
“Unë i di emrat e personave që kanë qasje, por s’mund t’i them ata, sepse të njëjtit i dinë policia dhe prokuroria.”
Më tej, ministrja u shpreh që dyshon se kjo ka qenë e planifikuar, por se, megjithatë, “fjalën e fundit do ta thotë prokuroria.”
“Nuk jam eksperte që të tregoj se a e dëmton rastin apo jo, vetëm jam e thirrur të tregoj një gjendje faktike” – vazhdoi ajo.
Tutje, ministrja Haxhiu ka deklaruar se ky “akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj”.
“Ne besojmë se ky akt i rëndë e kriminal, që ka ndodhur në ambientet që do të duhej të ishin të mbrojtura e të sigurta brenda IML-së, ka për qëllim ta dëmtojë edhe më tutje këtë proces dhe të na veshë neve me përgjegjësi. Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj. Situata e krijuar është tepër e rëndë. Të vendosë hije dyshimi në gjithë IML-në, por edhe në veprimtarinë e tij”- tha ajo.
Ministrja sot gjatë ditës e ka vizituar edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rasti Dehari
Më 5 nëntor janë bërë 6 vjet nga vdekja e aktivistit të LV-së, Astrit Deharit. Për 6 vjet, janë ndërruar disa qeveri, rrjedhimisht disa ministra të drejtësisë, kot. Gjithçka rreth vdekjes së trishtë të 5 nëntorit 2016, mbetet ende mister.

