Kryeprokurori Maloku priti në takim drejtoreshën e Policisë, Mahmuti

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka pritur në takim drejtoreshën e Policisë Rajonale të Gjilanit, Elmina Mahmuti.

Në takim ishim të pranishëm edhe shefi i Njësisë së Hetimeve Rajonale, Remzi Azemi dhe shefi Operativ Rajonal në Gjilan, Nijazi Kolgeci.

Gjatë këtij takimi u diskutuan të arriturat dhe sfidat, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të bashkëpunimit në mes prokurorisë dhe policisë, në mënyrë që të mënjanohen vështirësitë kryesore, me të cilat përballen këto dy institucione.

Në këtë pikë u bisedua edhe për problemet, me të cilat përballet policia sa i përket dhomës së dëshmive, për të cilën u dakorduan që një pjesë e saj, bazuar në dispozitat ligjore, të shkatërrohet, ndërsa pjesa tjetër të bartet në objektin e prokurorisë.

Gjatë këtij takimi u theksua edhe kërkesa e kryeprokurorit për angazhimin e hetuesve policorë, që të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet profesionale dhe teknike në luftimin kundër veprave penale të grabitjes dhe vjedhjeve e rënda, të cilat kanë qenë shumë aktuale kohën e fundit, në rajonin e Gjilanit.

Në fund të takimit, të dy institucionet u shprehën të gatshme në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve ligjore, duke u koordinuar që të kenë angazhim edhe më të madh në luftën kundër të gjithave veprimtarive kriminale, thuhet në komunikatën e Zyrës për komunikim publik të Prokurorisë Themelore në Gjilan.