Kryetari i Ferizajt: Janë kryer përgatitjet, katër pacientë do të nisen për trajtim mjekësor në Turqi

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka konfirmuar se tashmë janë kryer të gjithat përgatitjet që katër pacientët që janë lënduar dje në shpërthimin në Ferizaj të nisen për trajtim në Turqi.

Aliu në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se shteti i Turqisë ka pranuar që të marrë katër pacientë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

“Ende nuk janë nisur pacientët, por ne i kemi kryer të gjitha përgatitjet, katër pacientë do të shkojnë në Turqi për trajtim, pasi që aq ka pranuar shtetit turk. Është çështje kohe se kur do të nisen, sepse tash varet se si janë fluturimet”, ka thënë ai.

Theksojmë se të martën në një qendër tregtare në Ferizaj ka shpërthyer një bombolë gazi, ku janë lënduar 42 persona. Disa nga të lënduarit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që kanë pësuar djegie nga 30 e deri në 50 për qind të sipërfaqes së trupit.

Ndërkohë në rrjetet sociale tashmë po bëhet thirrje për grumbullim të mjeteve financiare për shërimin e personave të lënduar nga incidenti i djeshëm.