Kryetari i Ferizajt jep detaje për arrestimin e 8 zyrtarëve komunalë

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka dhënë detaje për arrestimin e 12 personave, për të cilët njoftoi sot Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Aliu tha se ky është aksioni më serioz për ruajtjen e pyjeve dhe maleve të Komunës së Ferizajt.

“Në koordinim të Komunës së Ferizajt dhe insitucionet e rendit janë arrestuar 12 persona, prej tyre 8 janë zyrtarë të Komunës së Ferizajt, 5 janë rojtarë dhe 3 janë teknikë të pylltarisë. Kjo është dëshmia më e mirë që ne jemi të pakompromis dhe lufta do të jetë e pakompromis ndaj cilitdo zyrtar, ndaj pasurisë së shtetit”, tha Aliu në konferencë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Ferizajt njoftou sot se në muajin tetor 2020, nga një sinjalizues i Institucionit të Komunës së Ferizajt, ka pranuar informacione se është duke u kryer vepra penale e “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 si dhe “Marrja e ryshfetit “ nga neni 421 dhe “Dhënia e Ryshfetit” nga neni 422, nga zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në komunën e Ferizajt.