K’si kryemadhi rrallë t’vjen në dyqan
(Historia e qeleshepunuesve-plisaxhinjve të Gjilanit)
…………………..
Faik Ziyazade
Zeja e Qeleshepunuesve apo Plisaxhive është degë prodhuese e tekstilit me origjinë të vjetër, dhe se plisi konsiderohet kësulë kombëtare, të cilën e kanë prodhuar dhe bartur të parët dhe të vetmit shqiptarët.
Përshkrimin e plisit e gjejmë edhe tek Branisllav Nushiq, i cili thekson se popullsia e Kosovës mban kësulë të bardhë, të cilën e quan plis.
Pra, plisi është veshje e trashëguar dhe traditë e veshjes kombëtare.
Qysh nga shekujt XVIII dhe XIX, Gjakova njihet si vatër e kësaj zejeje dhe mendohet se të gjithë qeleshepunuesit e Kosovës kanë prejardhje gjenealogjike nga Gjakova, andaj edhe qeleshepunuesit në Gjilan kanë qenë të ardhur nga ky qytet.
Qeleshepunues mund të gjenden vetëm aty ku ka shqiptarë.
Bazuar në shënimet e ilirologut të shquar A. Stipçeviq, tipi i kësulës së bardhë të rrumbullakët i ngjashëm me plisin rrjedh drejtpërsëdrejti nga ilirët.
Për vjetërsinë e plisaxhijve në Gjilan nuk kemi të dhëna, por plisaxhi duhet të ketë pasur edhe para vitit 1912.
Edhe për periudhën mes dy luftërave botërore, në shënimet e Odës Zejtare të Rrethit të Gjilanit nuk figurojnë të dhëna për ndonjë dyqan ose mjeshtër të kësaj zeje, kurse në odën zejtare të këtij rrethi, të pas Luftës së Dytë Botërore, hasim të regjistruara tri punëtori të plisave, me gjithsejtë 5 punëtorë, të cilat i kishin hapur gjakovarët dhe ata ishin: Muharrem Riza Jaha me vëllaun Isa Jaha më 1951; Isa Rexhep Mula me vëllaun Sami Mula më 1953 dhe Haki Ferat Lota, më 1959, që të gjithë me punëtoritë e tyre në rr. “Adem Jashari.
Në dokumente të vitit 1970, shënohet vetëm një qeleshepunues në Gjilan.
Këta plisaxhi, në kohën e tyre, pos Gjilanit, furnizonin me plisa edhe Komunat e Vitisë, Kamenicës dhe Artanës dhe plisat i ekspozonin sidomos gjatë panaireve dhe ditëve të tregut.
Përpos si zejtarë plisaxhitë e Gjilanit ishin edhe antarë dhe aktivistë të dalluar të Shoqërisë Kulturo Artistike “Drita” të Gjilanit.
Vëllëzërit Mula ishin antarë të seksionit muzikor dhe dramatik të SHKA ”Drita” në Gjilan kurse vëllezërit Muharrem dhe Isa Jaha si aktivistë dhe antarë të dalluar me këngë e valle.
Edhe kjo zeje tradicionale po braktiset gradualisht krahas me mënyrën bashkëkohore e të jetuarit.
Tani as në Gjilan dhe askund në Anamoravë nuk ka punëtori apo shitore të plisaxhijve, tani pasardhësit e familjes Jaha, vëllezërit Bashkimi dhe Vllaznimi, të cilët zejen e punimit të qelesheve, e kishin të mësuar dhe të trashëguar nga i ati Isa Jaha dhe që me këtë zeje janë marrë mbi 30 vjet, pas mbetjes pa dyqan janë të detyruar të shesin plisa në trotuar skaj Xhamisë së Madhe të Gjilanit, sa për të fituar ndonjë para, kurse furnizimin e bëjnë nga Gjakova.
Më poshtë janë dy nga anekdotat më të njohura që lidhen direkt me mjeshtrit e plisave dhe rëndësinë e këtij simboli:
1. Qisi kryemadhi rrallë t’vjen në dyqan
Një plisaxhi, pasi mbaron porositë e zakonshme, vendos të bëjë edhe disa plisa më të mëdhenj nga madhësia standarde.
Ndër ta, njërin e bën jashtëzakonisht të madh, aq sa kalonin muaj e askush nuk ia blinte dot sepse askujt nuk i bënte.
Një ditë, në dyqanin e tij hyn një burrë me kokë jashtëzakonisht të madhe dhe e pyet plisaxhiun:
– A ke ndonjë plis për mua?
Plisaxhiu, i gëzuar, ia nxjerr menjëherë atë plisin e madh që i kishte mbetur në stok. Burri e provon, i bie fiks në kokë dhe e pyet:
– Sa kushton ky plis?
Mjeshtri, duke e ditur se blerësi nuk do të gjente dot plis tjetërkund, ia mban çmimin shumë të shtrenjtë.
Burri i habitur e pyet:
– Pse ky plis kaq shtrenjtë, e këta të tjerët i ke shumë më të lirë?
Plisaxhiu i përgjigjet:
– Po, sepse kështu plis të madh është shumë vështirë me u gjetë e me u punu.
Atëherë burri buzëqesh dhe i thotë:
– More plisaxhi, shitma plisin me një çmim me hesap (të arsyeshëm), sepse edhe ty rrallë t’vjen në dyqan qisi kryemadhi që t’ia heqë mallin nga stogu!
2. Plisi i bardhë nuk mban njolla
Në një odë burrash, ku bisedohej për besën, nderin dhe moralin, po merrte pjesë edhe një plisaxhi i vjetër i cili njihej për urtësinë e tij.
Gjatë bisedës, një nga burrat e rinj i thotë:
– O axhë, ti që ke punuar plisa gjithë jetën, na thuaj, cila është gjëja më e vështirë në zanatin tënd?
Plaku e rregullon plisin e vet mbi kokë dhe i përgjigjet qetë: Gjëja më e vështirë nuk është rrahja e leshit e as dhënia e formës, o djalë.
Gjëja më e vështirë është ta nxjerrësh plisin krejtësisht të bardhë. Se po ra qoftë edhe një pikë e vogël e zezë në të, prishet i tërë plisi dhe nuk e blen kush.
Burrat në odë filluan të bëjnë me kokë, duke kuptuar porosinë.
Atëherë plaku shtoi: kështu është edhe puna e burrit: i ndershmi duhet ta mbajë jetën dhe nderin si plisin e bardhë.
Mjafton vetëm një gabim ose një njollë e zezë në jetë, dhe pastaj sado të mundohesh ta lash, plisi nuk bëhet më siç ka qenë.
Shēnim: Më gjerësisht rreth zejës së Qeleshpunuesve-plisaxhive e keni librin “Zejtaria e Gjilanit”.

