Kujt i drejtohet Arbëri kështu: Ju që bëni linçime nuk mund të rrugëtoni me mua bashkë!

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka bërë një postim në profilin e tij, ku ka kërkuar nga rivalët e brendshëm politikë që të mos merren me intriga ndaj tij dhe familjes, duke u munduar ta denigrojnë atë.
“Ëndrra dhe lakmia juaj politike, nuk mund të arrihet në këtë formë”, shkruan ai.
Ky është postimi i plotë i Ismajlit:
Po e ndjejë të nevojshme të ua bëjë me dije edhe njëherë disa oponentëve të lodhur brenda taborit tim politik të LDK-së, se deri më tani, asnjëherë të vetme, nuk kam biseduar me kryetarin e partisë së LDK-së, dega në Gjilan dhe, me asnjë strukturë politike, lidhur me kandidaturën time për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Komunës së Gjilanit.

Unë vazhdoj ta kryej me plot përgjegjësi postin në të cilin jam i ngarkuar si nënkryetar Komune, duke bartur seriozitet dhe përgjegjësi në punë.

Komuna e Gjilanit, e ka kryetarin e saj, tabori im politik i LDK-së i ka organet e zgjedhura dhe se, kur të vije koha, do të diskutohet çdo gjë në tavolinë. Nuk ka nevojë askush të merret me intriga, me qëllimin e vetëm ta lakojë emrin tim, duke bërë propaganda të ndryshme personale e familjare. Sinqerisht, kjo që po e dëgjoj, është e turpshme për ata persona të cilët e ndjejnë vetën si të lartësuar.

Të gjithë ju, të cilët keni aspirata duke u munduar të denigroni njerëz, ju ftoj të më leni të qetë, personalisht mua, dhe, veçanërisht familjen time, duke ndjekur rrugën tuaj politike, ashtu siç keni arritur të “depërtoni”.

Ëndrra dhe lakmia juaj politike, nuk mund të arrihet në këtë formë. Punoni ndershmërisht, për të arritur aty ku synoni. Sepse, qytetarët janë ata të cilët më së miri do të jenë në gjendje ta vlerësojnë këtë.

Këto lojëra janë për ta larguar vëmendjen e ligësisë suaj dhe, natyrisht, këtij horizonti, do t’i dal ngjyra shumë shpejt.

Nëse nesër, unë do të jem një ndër të besuarit e kësaj në të cilën po thirreni ju, duke bërë linçime, nga sot, po u paralajmëroj që ju nuk mund të rrugëtoni me mua bashkë!