Kujt i duhet Shkolla e Mjekësisë në Gjilan që prodhon “ndihmës infermierë”?
Sabedin Sherifi
Ndërsa Evropa po e trajton infermierinë si një shkencë të mirëfilltë universitare, në Kosovë ende vazhdojmë të diskutojmë për profile që i përkasin një sistemi të kaluar.
Pyetja shtrohet natyrshëm: kujt i duhet një shkollë që vazhdon të prodhojë “ndihmës infermierë”, kur bota kërkon infermierë profesionistë me arsim të lartë?
Infermieria e shekullit XXI nuk është më një profesion ndihmës. Ajo është një disiplinë shkencore me bazë akademike, kërkimore dhe klinike.
Në shumicën e vendeve evropiane, përgatitja e infermierëve zhvillohet sipas standardeve të Procesit të Bolonjës, me studime universitare, kompetenca të qarta profesionale dhe zhvillim të vazhdueshëm akademik.
Ndërkohë, vazhdimi i përgatitjes së kuadrove si “ndihmës infermierë” përfaqëson një koncept të trashëguar nga sistemi komunist, kur infermieri shihej si ndihmës i mjekut dhe jo si profesionist i pavarur në ekipin shëndetësor.
Sot, infermierët marrin vendime klinike, menaxhojnë kujdesin ndaj pacientit, udhëheqin ekipe, zhvillojnë kërkime shkencore dhe kontribuojnë në hartimin e politikave shëndetësore.
Ky është realiteti evropian, dhe Kosova nuk duhet të mbetet peng i modeleve të vjetra.
Ndërtimi i shkollave të reja të mjekësisë është një investim i mirëpritur, por investimi më i rëndësishëm është përmbajtja e programeve mësimore.
Nuk mjafton një objekt modern nëse vazhdohet me programe që nuk i përgjigjen nevojave të sistemit modern shëndetësor.
Kosova ka nevojë për infermierë të arsimuar sipas standardeve evropiane, të aftë për të punuar në vend dhe jashtë tij, me diploma që njihen dhe me kompetenca që respektohen.
Prandaj, pyetja mbetet aktuale:
A ka ende vend për profile si “ndihmës infermier”, apo ka ardhur koha që arsimi shëndetësor në Kosovë të harmonizohet plotësisht me standardet evropiane dhe infermieria të trajtohet si shkencë, ashtu siç është në çdo vend të zhvilluar të Evropës?
Nëse synojmë një sistem shëndetësor modern dhe konkurrues, përgjigjja duket e qartë: e ardhmja i takon infermierit profesionist universitar, jo modeleve të trashëguara nga e kaluara. /Mediafokus
(Autori është mësimdhënies i infermierisë/ Specialist i kujdesit intensiv dhe emergjencë. Punon në kujdesin intensiv me respirator në Gjermani).

