Kujt i tha Haziri: “Është normale që trashëgimtarët ta bartin fotografinë e babës”

Në vitin 2007, akuzave të subjekteve tjera politike, të bëra në adresë të LDK-së, kinse ajo po fshihet pas fotografive të presidentit Ibrahim Rugova, Lutfi Haziri iu ishte përgjigjur duke thënë: “Është normale që trashëgimtarët ta bartin fotografinë e babës”, raporton portali mediafokus.info

Kryetari i këtij subjekti në Gjilan, njëherësh edhe bartës i listës zgjedhore, Lutfi Haziri, ka thënë se “nëse ata që janë trashëgues nuk e bartin foton e babës, atëherë kush tjetër duhet ta bartë atë“.

Ata që dolën nga LDK-ja nuk mund të jenë trashëgues të Ibrahim Rugovës dhe vizionit të tij, kishte thënë Haziri.

Ai është shprehur optimist në një tubim me përkrahës në Gjilan se pavarësia e Kosovës është afër.

Këtë popull e kanë mbajtur gjallë dy fjalë, “pavarësi dhe SHBA” dhe nuk duhet harruar se këtë miqësi me Amerikën e ka arritur LDK-ja, kishte thënë Haziri.

Sipas tij, populli i Kosovës diti të ndajë bukën dhe kuletën për pavarësinë e Kosovës, kurse udhëheqja e tij e mençur diti ta sjellë Kosovën deri në këtë ditë./Mediafokus/