Kujt po i pengon poligoni i FSK-së në Mitrovicë?

Krijimi i një poligoni të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Mitrovicë të Jugut, ka ngjallur reagime në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar paralajmërimet për formimin e siç është shprehur ai ‘bazës së FSK-së’ në Cërnushë të Mitrovicës së Jugut.

Duke deklaruar se “kjo nuk është përpjekja as e parë, as e fundit e palës shqiptare për të treguar se është ajo që mund të bëjë çfarë të dojë”, Vuçiq tha se beson se do të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.

“Nëse del ndonjë rrezik apo kërcënim më serioz për popullin serb…Nuk kam nevojë të vazhdoj. E dinë serbët e ‘Kosovës e Metohisë’”, tha Vuçiq të enjten, teksa vizitoi punimet në një autostradë në Serbi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, komuna e të cilit më 26 mars (2021), i ndau rreth 200 hektarë për ndërtimin e poligonit në kodrën e Cërnushës, tha se ky poligon nuk cenon sigurinë e askujt.“Baza ushtarake e FSK-së që do të ndërtohet në kodrën e Cërnushës nuk është provokim për askënd e as nuk do ta cenoj sigurinë e banorëve serbë të Kosovës, të cilët i mbron dhe do t’i mbrojë shteti i Kosovës me mekanizmat e tij sikurse gjithë banorët e Republikës tonë”, tha Bahtiri.

Bahtiri tha se nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, e sidomos në punët komunale të Mitrovicës.

Zyrtarë të NATO-së kanë thënë në një përgjigje me shkrim se “NATO e mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin aktual të saj, përkatësisht atë të një force të mbrojtjes civile”.

“Ne vazhdojmë të jemi plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në rajon. KFOR-i vazhdon aktivitetet e përditshme që të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurojë lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e NATO-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Më tej thuhet se KFOR-i ka kontakte të rregullta me Serbinë dhe organizata ndërkombëtare në Kosovë, në veçanti me Bashkimin Evropian.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të sigurojnë që të mos ketë tensione në rajon dhe të përmbahen nga deklaratat ose veprimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim dhe të fokusohen në përparimin me reforma dhe dialog”, thuhet në këtë përgjigje.