Kur nata zgjaste me vite

Izmi Zeka

(Nga ditari im gjatë luftës në Gjilan)

Një dëshmi personale që pasqyron realitetin e luftës në Kosovë, duke e vendosur përjetimin individual në kontekstin më të gjerë historik të spastrimit dhe rezistencës.

Ka kohë kur historia nuk shkruhet në arkiva, por në kujtesën e njerëzve. Lufta në Kosovë nuk ishte vetëm një konflikt i armatosur  ishte një përpjekje për mbijetesë kolektive. Gjilani i asaj kohe mbetet një dëshmi e gjallë e kësaj përvoje.

I

Gjilani, në pranverën e vitit 1999, i ngjante një qyteti të mbërthyer mes frikës dhe shpresës. Egërsia që përjetohej nuk ishte e rastësishme; ajo ishte vazhdimësi e një historie të gjatë dhune ndaj shqiptarëve.

Një mëngjes u zgjova dhe pashë se bora kishte mbuluar shtëpinë. Më dukej sikur nata kishte zgjatur me vite. Njerëzit vraponin nëpër qytet për të gjetur familjarët që nata i kishte shpërndarë.

Ishte kohë kur civilët ishin bërë shënjestër. Arbeni kishte humbur familjen dhe kishte mbetur i vetëm.

Qyteti vlonte nga kolonat e njerëzve që largoheshin  jo nga dëshira, por nga dhuna dhe shtypja që bënte poliia dhe ushtra Serbe.

Në male, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përpiqeshin të mbronin qytetarët me aq mundësi sa kishin. Përballë tyre ishte një aparat ushtarak shumë më i madh dhe i organizuar.

Pamjet ishin të rënda: familje të tëra në traktorë, fëmijë të frikësuar, rrugë pa drejtim. Rrugë që shpesh të çonin drejt së panjohurës drejt dëbimit, drejt vdekjes.

Eh, sikur ta kisha pranë Edith Durham  ndoshta ajo do të dinte t’i përshkruante këto pamje që lapsi ynë mezi i mban.

Në qendër të qytetit pashë Liridonin i lidhur, i rrahur brutalisht nga ushtarët Serb. Fytyra e tij ishte bërë e tëra e mavijosur. Ne vetëm shikonim  frika kishte paralizuar gjithçka.

Gjilani ishte kthyer në një qytet të heshtur. Lagjet boshatiseshin, shtëpitë mbeteshin pa njerëz. Nëpër oborre dëgjoheshin vetëm zërat e kafshëve të mbetura pa zot.

Arbeni kishte dalë në mal për të luftuar

Në mbrëmje mblidheshim dhe dëgjonim lajmet. Radiot ishin dritarja jonë e vetme. Dëgjonim për masakra anembanë Kosovës, por edhe për rezistencën e Ushtarëve të UÇK-së

Sa gëzoheshim kur dëgjonim Radio Kosovën e Lirë. Në ato momente, edhe në mes të frikës, lindte një ndjenjë shprese. Por një ditë erdhi lajmi: Arbeni kishte rënë në luftë.

Ishte i ri, sapo kishte përfunduar studimet dhe punonte si mësues. Edhe pse kishte humbur familjen, nuk ishte dorëzuar.

Rënia e tij nuk ishte vetëm humbje personale  ishte pjesë e një sakrifice më të madhe.

Ditët rëndoheshin. Netët bëheshin më të gjata

Babai im rrallë fliste. Edhe kur forcat serbe hynin në shtëpi, ai qëndronte i heshtur. Vetëm ofshante kur dëgjonte për të vrarë.

Shpesh përsëriste:“Do të fitojmë kur të kemi një ushtri të bashkuar.”

II

Netët ishin të gjata dhe të rënda. Lufta ishte bërë realitet i përditshëm.

Vrasjet e civilëve, granatimet, masakrat — të gjitha po ndodhnin rreth nesh. Një vajzë e re u vra në lagje. Në një fshat tjetër u shua një familje e tërë.

Qyteti po zbrazej. Kolonat e njerëzve drejt kufijve ishin bërë pamje e zakonshme nga dëbimi drejt të panjohurave që i bënte ushtria dhe policia Serbe. Dëbimi i popullsisë nuk ishte spontan  ishte i organizuar.

Nëna ime ruante qetësinë, edhe kur rreziku ishte në derë. Ajo mbante familjen të bashkuar në një kohë rreziku për jetë.

Unë dilja në qytet i hutuar. Frika kishte humbur kuptimin. Në çdo rrugë kishte polic e ushtar Serb të armatosur. Edhe ajri dukej se mbante erë lufte.

III

Fillimi i vitit 1999 solli një realitet absurd: disa shkolla ende funksiononin. Unë jepja mësim në shkollën “Thimi Mitko”.

Në sipërfaqe dukej sikur jeta vazhdonte, por në të vërtetë gjithçka ishte si në ëndërr.

Kisha dëgjuar për luftërat nga gjyshi im, për masakrat e mëhershme. Por ajo që po ndodhte tani kishte një dimension tjetër  sepse po ndodhte para syve tanë.

Liridoni, i cili ishte rrahur më parë, ndërroi jetë në burg. Një tjetër jetë që u shua pa drejtësi.

IV

Me fillimin e bombardimeve të NATO, lufta mori një kthesë tjetër.

Në lagjen e Dardanisë pashë turma njerëzish të zhvendosur. Frika ishte e dukshme në çdo fytyrë.

Më kujtoheshin rrëfimet historike për shpërnguljet e shqiptarëve ndër shekuj. Ajo që kisha lexuar, tani po e shihja me sy.

Kolonat me traktorë, vetura e kamionë mbushnin rrugët. Ushtria dhe policia serbe i dëbonin njerëzit dhe më pas digjnin shtëpitë.

Ishte një model i njohur në histori: dëbim, shkatërrim, zhdukje.

V

Në këtë errësirë kishte edhe qëndresë

Në Malishevën e Epërme pashë një familje të tërë të angazhuar në luftë. Në Verbicë të Kmetocit pashë guximin që nuk thyhej.

Në Gjilan, ndërkohë, frika ishte e përhershme. Një vajzë e re u vra vetëm pse ishte shqiptare. Flitej për masakra të mundshme, duke kujtuar edhe ato të së kaluarës.

Historia rëndonte mbi ne

Por edhe në atë kohë, njeriu kërkonte të mbetej njeri. Unë ëndërroja: këngët e Vaçe Zela, poezitë e Naim Frashëri, zërin e Nexhmije Pagarusha.

Sepse përballë dhunës, kujtesa dhe kultura bëhen formë rezistence.

Fundi

Lufta në Kosovë nuk ishte vetëm për territor. Ishte për ekzistencë dhe dinjitet.

Dhe ne pritnim.

Pritnim fundin e frikës.

Pritnim kthimin e jetës.

Pritnim një mëngjes pa krisma.

Pritnim luftëtarët e lirisë

Pritnim lirinë.