Kur Rugova iu ofron cigare dhe përqafohet me banorët e Malishevës
Adnan Merovci, kohë më parë ka publikuar një video të presidentit Ibrahim Rugova nga viti 1998, gjatë një vizite të papritur në Astrazub të Malishevës.
Ajo që duket mbresëlënëse është afërsia e ish presidentit me banorët, shumë prej të cilëve i kap në përqafim dhe tregohet krejtësisht i çlirshëm e i natyrshëm në ndërveprime.
“Kom ardhë pa pritë kështu,” – i thotë një banori fillimisht Rugova, derisa ndanë tij duket edhe Christopher Hill, ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Serbi.
“Adnan, a kena naj cigare? A pin kush duhon? T’jau qes, jo jo unë t’jau qes…”- thotë në një komunikim tjetër presidenti, duke buzëqeshur.
Ndërkohë, në prapavijë duket një shtëpi e djegur por edhe situata e rëndë që mbretëronte në Kosovë.
Presidenti shihet më pas edhe në ndërveprime tjera, tepër i afërt me popullin, duke ndarë përqafime të ngrohta me secilin që i avitej.
Duhet kujtuar se koha për të cilën po flasim është mes periudhave më të vështira të historisë së Kosovës, viti 1998, ndërkohë që thjeshtësia e Rugovës – president i vendit – duket krejtësisht e pabesueshme për sytë e gjeneratave të reja të mësuara me politikanë të tjerë.
Rugova ishte shquar edhe për fjalorin e matur dhe unifikues gjatë kohës si president, përkundër kritikave e sulmeve që i vinin gati nga të gjitha anët.

