Kur Rugova iu ofron cigare dhe përqafohet me banorët e një fshati në Kosovë

Adnan Merovci muaj më parë ka publikuar një video të presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1998 e cila duket të mos ketë marrë vëmendje të mjaftueshme publike. Por, e cila ka rëndësi sidomos në këtë kohë polarizimesh politike në vendin tonë. Çka na shfaq kjo video?

Rugova duket se bën një vizitë të papritur te banorët e fshatit Astrazub në Malishevë. Ajo që duket mbresëlënëse është afërsia e treguar nga ish presidenti historik i vendit me këta banorë, shumë prej të cilëve i kap në përqafim dhe tregohet krejtësisht i çlirshëm e i natyrshëm në ndërveprime. Një e kundërt ekzakte me krerët aktualë institucionalë, që nuk kanë këtë gjuhë trupore në ndërveprimet e tyre me qytetarët e rëndomtë.

“Kom ardhë pa pritë kështu,” – i thotë një banori fillimisht Rugova, derisa ndanë tij duket edhe Christopher Hill, ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

“Adnan, a kena naj cigare? A pin kush duhon? T’jau qes, jo jo unë t’jau qes…”- thotë në një komunikim tjetër, duke buzëqeshur presidenti i ndjerë. Ndërkohë, në prapavijë duket një shtëpi e djegur por edhe situata e rëndë që mbretëronte në Kosovë.

Presidenti shihet më pas edhe në ndërveprime tjera, tepër i afërt me popullin, duke ndarë përqafime të ngrohta me secilin që i avitej.

Duhet kujtuar se koha për të cilën po flasim është mes kohërave më të vështira të historisë së Kosovës, viti 1998, ndërkohë që thjeshtësia e Rugovës – president i vendit – duket krejtësisht e pabesueshme për sytë e gjeneratave të reja të mësuara me politikanë të tjerë.

Rugova ishte shquar edhe për fjalorin e matur dhe unifikues gjatë kohës si president, përkundër kritikave e sulmeve që i vinin gati nga të gjitha anët.

Aktualisht, vendi ynë vazhdon të përballet me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit në sferën politike, që shpesh nxitet nga vetë liderët politikë.