Kur vera jonë kishte vetëm një “gjiri”

Kur kujtoj fëmijërinë dhe verërat e dikurshme në fshat, më duket sikur kthehem në një kohë tjetër.

Një kohë kur nuk kishim shumë gjëra, por çuditërisht kishim shumë më tepër gëzim.

Për ne, gjatë pushimeve verore, deti nuk ekzistonte. Nuk kishim mundësi të shkonim në bregdet. Detin e kishim parë vetëm në ndonjë fotografi ose në televizor. Na thoshin se ishte i madh, kishte shumë ujë dhe se uji i tij ishte i njelmët. Ne vetëm dëgjonim dhe thoshim: “Hec e beso, kur nuk e kemi parë kurrë!”

Por ne kishim detin tonë të vogël.

Ishte një liqen i vogël, që ne e quanim “gjiri”. Uji vinte nga mali dhe, kur mbërrinim herët, ishte i pastër e i ftohtë, pothuajse kristal. Ne vraponim me gjithë fuqinë, duke garuar se kush do të hynte i pari në ujë.

Por “gjiri” ynë kishte edhe rregullat e veta. Nuk vononte shumë dhe uji turbullohej. Në vend të ujit të pastër, fillonte të kishte më shumë baltë se ujë. E shpesh ndodhte edhe më keq: vinte ndonjë blegtor dhe i fuste delet për t’i larë.

Atë ditë, për ne, noti përfundonte!

Por prapë ishim të lumtur. Nuk na duhej ndonjë pishinë luksoze, as ndonjë plazh i famshëm. Na mjaftonte ai ujë i ftohtë i malit, pak diell, shokët pranë dhe gjithë ajo botë e vogël që për ne ishte e mrekullueshme.

Nuk kishim shumë lodra, nuk kishim telefona, internet, makina të bukura apo pushime jashtë vendit. Kishim rrugët e fshatit, arat, malet, bagëtinë, shokët dhe imagjinatën tonë.

Ishim të varfër në gjëra, por të pasur në gëzim.

Sot kemi shumë më tepër. Mund të udhëtojmë, të shkojmë në det, të rezervojmë hotele, të bëjmë fotografi dhe t’i ndajmë me të gjithë botën. Por ndonjëherë, kur mbyll sytë dhe kujtoj atë “gjirin” tonë të vogël, më duket se atëherë ishim shumë më të lumtur.

Sepse lumturia e fëmijërisë nuk matej me atë që kishim.

Matej me sa shpejt vraponim për të hyrë në ujë, sa fort qeshnim dhe sa pak na duhej për t’u gëzuar.

Dhe sot, edhe pse deti është vetëm një udhëtim larg, në kujtesën time ai “gjiri” i vogël mbetet deti më i bukur i fëmijërisë sime./Sabedin Sherifi