Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të shihet si hero
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për rastin e shtetasit Faton Hajrizi, i cili u raportua se u vra disa ditë më parë në Serbi.
Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për ndriçimin e këtij rasti.
“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e Faton Hajrizit, dhe institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacion zyrtar. Së fundmi përmes MPJD jemi informuar nga Drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe më 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të njëjtat shenja së bashku me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit Drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ka pranuar se këto shenja i takojnë shtetasit Faton Hajrizi”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se MPB dhe policia kanë përcjellë me vëmendje çdo hollësi, dhe MD dhe MPJD janë angazhuar dhe kanë informuar.
“Megjithatë sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë dhe vrasja e tij e raportuar kërkon hetim vendor e ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri.
Ai u kërkoi qytetarëve të mos bien pre e euforisë së heroizmit dhe se patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku dhe 23 pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës.
“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizmit dhe romantizmit të tij. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku i vrarë në Banjskë, patriot janë edhe 23 pjesëtarë të PK të rënë në krye të detyrës”, tha Kurti.
🗣 Albin Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të shihet si hero – nevojitet hetim vendor e ndërkombëtar për rastin e tij#Telegrafi #AlbinKurti #FatonHajrizi #Kosova pic.twitter.com/v2ryZih14k
— Telegrafi.com (@Telegrafisti) July 24, 2024

