Gjashtë subjekte politike dorëzojnë ankesa në PZAP

Gjashtë subjekte politike kanë dorëzuar tetë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pas moscertifikimit nga ana e KQZ-së të subjektit, apo listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në mesin e partive që janë ankuar, që kryesisht janë të minoriteteve, janë edhe AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate të cilat kanë paraqitur apele për moscertifikimin e subjektit politik dhe listës së kandidatëve për deputetë.

Këtë për klankosova e ka konfirmuar Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

“Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) – për shkak të moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik. Partia e Ashkalive për Integrim – ka sjellë tre apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të një kandidati për shkak të moscertifikimit të tij në listë për pjesëmarrje në zgjedhje. PREBK – për shkak të moscertifikimit të një kandidateje nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Socialdemokratska Unija – Duda Balje për shkak të ndodhjes së një kandidateje shqiptare në listën e subjektit të saj”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – për shkak të moscertifikimit të subjektit dhe kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik. Nisma Socialdemokrate – për shkak të moscertifikimit të subjektit dhe kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik”, tha Desku për klankosova.tv.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e djeshme maratonike, nuk i ka certifikuar listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ky veprim erdhi për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar, ashtu siç ishte rekomanduar, emrat e kandidatëve në listat garuese të cilët kanë pasur dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, gjatë ditës së djeshme, deklaroi se PZAP-ja ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat e mundshme të cilat mund të paraqiten nga partitë politike.

“Pas paraqitjes së ankesave të mundshme, PZAP-ja ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni’’, ka deklaruar Elezi.