Kurti: Marrëveshja me LDK-në e mundshme dhe e nevojshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili synon të udhëheqë me qeverinë e re të Kosovës, ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në është e mundshme dhe e nevojshme.

Ai ka thënë se “me siguri do të ketë takime me Isa Mustafën”.

“Me siguri që do të ketë takime, të mos kemi takime është e pamundshme, marrëveshja është e mundshme, marrëveshja është e nevojshme, sepse qytetarëve u nevojitet ajo, mirëpo këto nuk janë lajme. Kur t’i kemi rezultatet konkrete, kur ta kemi marrëveshjen me elementet e saj përbërëse që i bashkëngjitet harmonizimit programor do të mund të kemi se çka të themi”, ka thënë Kurti, në tryezën që VV-ja e ka organizuar, “Dialogu Shoqëror: Gratë për Zhvillim”, raporton Koha.

Kurti si mandatar, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, po synon të ndërtojë institucionet me Isa Mustafën e LDK-së që doli partia e dytë në zgjedhje, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje, përcjell kp.

Ata nuk janë takuar që nga dita e shtunë e javës së kaluar. Mospajtimet e tyre janë rreth çështjes së postit të presidentit të Kosovës, si temë kryesore që i ka betonuar këto parti.