Kurti në KEK: Një ekspert gjerman do të ndihmojë në sanimin e blloqeve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot Termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin “Kosova A”.

Gjatë kësaj vizite, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shkruan lajmi.net.

Ai tha se është lajm i mirë që janë kthyer në punë të dy blloqet, por që bëri të ditur se në lidhje me këtë çështje në ndihmë do të vijë edhe një ekspert gjerman.

“Sot kemi me funksionalizimin e Kosova B, e ku ka filluar edhe funksionalizimi i ngrohtores së qytetit. Shumë shpejt do të vjen një ekspert gjerman që do të vijë e ta sanojmë këtë problem. Unë jam këtu me dy ministrat, sepse pa energji nuk ka ekonomi, e pa ekonomi nuk ka energji. Do ta keni përkrahjen ashtu siç po i qëndroni afër qytetarëve tanë”, tha kryeministri.

Kurti tutje foli edhe për rritjen e çmimit të rrymës, për çka tha se shtrenjtimi ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimit të gazit.

“Kur i kishim dy blloqet, i kishim 700 mgv, mirëpo konsumi ishte mbi 1 gigavat, çmimi i energjisë në burse është shtuar si pasojë e rritjes së gazit, andaj fatkeqësisht po na duhet ta blejmë shtirjet, ndërkaq faturimi është tejet i lirë, e s’po them se qytetari është i pasur”, tha ai.

Sipas Kurtit, nga rënia e blloqeve janë shkaktuar avari të mëdha, andaj nga halli i devijimit shteti është detyryar që të marrë më shumë rrymë se që është menduar.