Kurti në konferencë: Le ta zgjedhim sonte presidentin, zotohem se Ligji për Specialen kalon të enjten paradite

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se zotohet se do të kalojë Ligji për Gjykatën Speciale nëse sonte zgjidhet presidenti.

Ai ka deklaruar se kjo do të ndodh menjëherë të enjten paradite, në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

“Ligji është urgjencë por duhet respektuar afati 72 orësh, presidenti është emergjencë”, tha Kurti

Kryeministri bëri një “ofertë shtesë” për Partinë Demokratike të Kosovës në një konferencë për media në Qeveri.

“Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete: Nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun – meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në – atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht – meqenëse s’po mund t’i takojmë më – të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha ai.

Jashtë Qeverisë po qëndrojnë edhe sot protestues, të cilët kërkojnë që të votohet përfundimisht projektligji që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi ai u miratua dje paradite në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.