Kurti “praktikant” në dialog, thotë Edita Tahiri

Ish-kryenegoaciatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se Qeveria “Kurti” përpos që është e papërvojë në dialog, më herët e ka kundërshtuar të njëjtin.

Në mesin e muajit qershor pritet që të rifilloj dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, proces ky i cili ka filluar tash e dhjetë vjet në Bruksel, ku kryenegociatore ka qenë Edita Tahiri.
Ky dialog do të rifilloj në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

E për rifillimin e këtij dialogu, për Front Online ka folur ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Ajo tha se Qeveria “Kurti”, nuk ka përvojë në negociata dhe se për rifillimin e këtij dialogu duhet ta ketë një platformë të qartë, ku pjesë e bisedimeve duhet të jetë edhe opozita.

“Tani koha ka ardhur që të arrihet marrëveshja përfundimtare për njohjen reciproke. Për njohje reciproke për dy shtete mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria duhet të fokusohet në përgatitjen e platformës për bisedime, ta paraqes në Kuvend që të miratohet, të bashkëpunoj me opozitën të jetë mundësisht një delegacion ku përfshihet edhe Qeveria dhe opozita. Mendoj se Qeveria aktuale nuk ka shumë përvojë në negociata pasi që është hera e parë që janë në Qeveri, plus kanë qenë kundër këtij dialogu”, tha ajo për Front Online.

Platforma e Qeverisë për rifillimin e dialogut, sipas Tahirit, duhet t’i ketë në fokus tri çështjet kryesore, njohja reciproke, dëmshpërblimin e luftës, dhe bashkëpunimi mes dy shteteve në fushat ku kanë interes.

“Megjithatë këtu e tani është obligimi i tyre kushtetues dhe të përgatiten mirë që të dalin me argumente të qëndrueshme, njohja reciproke mes dy shteteve me kufijtë aktual është zgjedhje e vetme e cila kontribuon për paqen në rajon dhe Evropë, kjo pra duhet të jetë ajo që duhet ta kenë gati, gjithashtu platforma e Kosovës duhet ta mbaj çështjen e reparacioneve të luftës. Qeveria duhet të ofrojë argumente, po ashtu që nëse gjërat shkojnë mirë në këtë fazë përfundimtare të dialogut natyrisht që duhet të flitet për bashkëpunim mes dy shteteve në fushat ku kanë interes të përbashkët, pra këto janë tri shtyllat kryesore që dihet t’i ketë platforma”, deklaroi Tahiri.

Tahiri: Serbia e ka kusht marrëveshjen përfundimtare, i duhet për anëtarësim në BE

E pyetur se a pret që marrëveshja përfundimtare të arrihet brenda këtij viti, Tahiri tha se është e rëndësishme që një gjë e tillë të ndodh pasi që Ballkani ka mbetur në një situatë të paqartë.

Ajo tha se për arritjen e kësaj marrëveshje përveç Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë edhe angazhim të partneritetit euroatlantik.