Kurti: Sot do ta marrim një vendim të rëndësishëm për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se sot do të merret “një vendim i rëndësishëm” në lidhje me angazhimin e shtetit në mbrojtje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton express.
Kurti tha në fillim të një mbledhjeje të Qeverisë se Ekzekutivi do të vazhdojë t’i mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të cilët Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë, duke i dënuar për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e Apelit, ku presim korrigjimin e kësaj padrejtësie”, tha Kurti.
Ai tha se “për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duhet një strategji e mirëmenduar”.
“Fillimisht duhet një analizë e thellë pas aktgjykimit në formën e tij të plotë që të veprojmë përpara”, tha Kurti.
“Në Apel na duhet suksesi, e për këtë gjë nevojitet organizim e strategji shtetërore e kombëtare. Prandaj sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, shtoi ai.

