Kurti s’paraqitet me kohë në Prokurori si dëshmitar, nuk dihet nëse do t’i përgjigjet thirrjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale, në të cilën ishte i ftuar për këtë të hënë nga ora 09:30 në cilësinë e dëshmitarit.
Ndërkohë, siç raporton ekipi në terren i TV Dukagjinit, gjatë kësaj kohe pranë kësaj prokurorie janë parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësi i saj.
Ndonëse vetë kryeministri Kurti nuk e ka komentuar këtë thirrje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka shkruar në Facebook se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025.
Kryeministri Kurti është thirrur nga Prokuroria Speciale si dëshmitar në hetimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, që lidhen me dyshimet për shkelje të procedurave të prokurimit dhe përfitime të paligjshme nga zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

