Kush kishte kërkuar që kafiteritë pranë shkollave të shndërroheshin në lokale qumështi

Arsimorët e Gjilanit kishin kërkuar rishikimin e një vendimi të Kuvendit Komunal, i miratuar në korrik 2008, sa i përket veprimtarisë së kafiterive në afërsi të shkollave, meqë ai nuk po respektohej, shkruan Mediafokus.info 

Vendimi nuk është përfillur nga pronarët e lokaleve dhe kishte dyshime se aty shërbehej edhe alkooli.

Komiteti i Arsimit kishte vlerësuar se vendimi nuk po zbatohej dhe se kafiteritë po shkaktonin probleme në mbarëvajtjen e mësimit, prandaj duhej shikuar mundësia për ridestinimin e veprimtarisë së tyre.

Vendosja e një standardi sa i përket distancës së lokaleve të kësaj veprimtarie me shkollat, duhej të bëhej domosdo.

Halim Vranovci, zyrtar për arsimin e mesëm, ishte i mendimit se kafiteritë janë një problem që duhet zgjidhur, ndoshta edhe duke iu ofruar mundësi që të shndërrohen në lokale ushqimore ose lokale qumështi, sepse mbi 7 mijë nxënës të shkollave të mesme përbëjnë një potencial të mjaftueshëm blerës për funksionimin e tyre.

Përndryshe, sipas vendimit të Kuvendit Komunal në Gjilan, të gjitha veprimtarive hoteliere në territorin e komunës së Gjilanit iu ishte ndaluar shërbimi i pijeve alkoolike për të miturit, ndërsa lokaleve hoteliere në afërsi të kompleksit të shkollave të mesme iu ishte ndaluar që t`i shërbenin të gjitha grupmoshat me pije alkoolike, prej orës 6:00 deri në ora 20:00, gjatë gjithë periudhës sa zgjat viti shkollor.

Për nxënësit, të cilët gjenden në këto lokale brenda orarit të mësimit, ishin paraparë masa disiplinore nga shkolla, ndërsa personelit mësimor i ndalohej të ishte pronar i ndonjë kafiterie në hapësirën pranë shkollave të mesme.

Por, realiteti dëshmoi se vendimi nuk ka funksionuar si duhet në praktikë, prandaj më vonë u ndërtua kompleksi i shkollave të mesme, përmes një projekti të realizuar në partneritet publiko-privat, i cili e ka zgjidhur këtë problem në mënyrë të duhur./Mediafokus.info