Ky ishte ndërkombëtari që përkrahu kërkesat për lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe
Administratori i Gjilanit, Ivo Shanc i kishte përkrahur protestat e shqiptarëve, menjëherë pas përfundimit të luftës, për lirirmin e të burgosurve politikë nga burgjet.
Në shkurt të vitit 2000, ai i kishte dërguar një letër kryeadministratorit të Kosovës, Bernard Kushner, ku thoshte: “Më kujtohet nga vendi im (Çekia) se ç`padrejtësi është t`i burgosish intelektualët dhe aktivistët politkë, të cilët me mjete paqësore luftojnë për të drejtat dhe liritë elementare njerëzore.
Shanc, bashkarisht me qytetarët e komunës së Gjilanit, apelonte për negociata me z. Koshtunica, rreth lirimit të të burgosurve politikë.
Ky ishte teksti origjinal i letrës së Ivo Shancit:
Populli i Kosovës, të gjithë ndërkombëtarët që punojnë në Kosovë e që vijnë nga mbarë bota demokratike, mirëpritën fitoren e demokracisë në Jugosllavi, para disa javësh.
Të gjithë ne shikojmë nga e ardhmja në këtë pjesë të Ballkanit, me shpresa të mëdha.
Shpresa kryesore e mijëra shqiptarëve të Kosovës, është në lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe.
Këto ditë, shumë njerëz po e kërkojnë këtë zëshëm nëpër rrugë. Kjo është kërkesë e ligjshme.
Çdo ditë vonesë është shumë e pikëllueshme dhe shumë e dhembshme, sidomos për familjet e të burgosurve politikë.
Më kujtohet nga vendi im se ç`padrejtësi është t`i burgosish intelektualët dhe aktivistët politikë, të cilët punojnë dhe me mjete paqësore luftojnë për të drejtat dhe liritë elementare njerëzore të qytetarëve.
Unë si administrator komunal i Gjilanit e përkrah plotësisht kërkesën për lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe.
Qeveria jugosllave duhet ta bëjë këtë menjëherë, pa pengesa formale.
Liria e të burgosurve politikë do duhej të jetë një kusht themelor për zhvillimet e mëtejme në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.
Së bashku me qytetarët e komunës së Gjilanit, apeloj tek ju z. Kushner, që në mënyre intensive të negocioni me z. Koshtunica, e unë i jap mbështetjen maksimale përpjekjeve tuaja për lirimin e të burosurve politikë shqiptarë të Kosovës nga burgjet serbe, përfundonte letra e Shanc./mediafokus.info

