Ky ishte ndërkombëtari që përkrahu kërkesat për lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe

Administratori i Gjilanit, Ivo Shanc i kishte përkrahur protestat e shqiptarëve, menjëherë pas përfundimit të luftës, për lirirmin e të burgosurve politikë nga burgjet.

Në shkurt të vitit 2000, ai i kishte dërguar një letër kryeadministratorit të Kosovës, Bernard Kushner, ku thoshte: “Më kujtohet nga vendi im (Çekia)  se ç`padrejtësi është t`i burgosish intelektualët dhe aktivistët politkë, të cilët me mjete paqësore luftojnë për të drejtat dhe liritë elementare njerëzore.

Shanc, bashkarisht me qytetarët e komunës së Gjilanit, apelonte për negociata me z. Koshtunica, rreth lirimit të të burgosurve politikë.

Ky ishte teksti origjinal i letrës së Ivo Shancit:

Populli i Kosovës, të gjithë ndërkombëtarët që punojnë në Kosovë e që vijnë  nga mbarë bota demokratike, mirëpritën fitoren e demokracisë në Jugosllavi, para disa javësh.

Të gjithë ne shikojmë nga e ardhmja në këtë pjesë të Ballkanit, me shpresa të mëdha.

Shpresa kryesore e mijëra shqiptarëve të Kosovës, është në lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe.

Këto ditë, shumë njerëz po e kërkojnë këtë zëshëm nëpër rrugë. Kjo është kërkesë e ligjshme.

Çdo ditë vonesë është shumë e pikëllueshme dhe shumë e dhembshme, sidomos për familjet e të burgosurve politikë.

Më kujtohet nga vendi im se ç`padrejtësi është t`i burgosish intelektualët dhe aktivistët politikë, të cilët punojnë dhe me mjete paqësore luftojnë për të drejtat dhe liritë elementare njerëzore të qytetarëve.

Unë si administrator komunal i Gjilanit e përkrah plotësisht kërkesën për lirimin e të burgosurve politikë nga burgjet serbe.

Qeveria jugosllave duhet ta bëjë këtë menjëherë, pa pengesa formale.

Liria e të burgosurve politikë do duhej të jetë një kusht themelor për zhvillimet e mëtejme në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

Së bashku me qytetarët e komunës së Gjilanit, apeloj tek ju z. Kushner, që në mënyre intensive të negocioni me z. Koshtunica, e unë i jap mbështetjen maksimale përpjekjeve tuaja për lirimin e të burosurve politikë shqiptarë të Kosovës nga burgjet serbe, përfundonte letra e Shanc./mediafokus.info